Vritet një person në fshatin Surkish të Podujevës

Një person ka mbetur i vrarë mbrëmë në fshatin Surkish të Podujevës, njoftoi sot Policia e Kosovës.

Policia tha se të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:00, ka marrë informacionin se në fshatin Surkish të Podujevës, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat A.S. (30 vjeç) dhe E.S. (23 vjeç).

Ata janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S.) nuk ka mundur t’i përballojë plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00 Policia është njoftuar nga QKUK- se viktima ka vdekur.

“Aktualisht hetuesit policorë janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për  të identifikuar personat e dyshuar si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë”, thuhet në komunikatën e Policisë.