Tryeza për UP-në - Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prishtinës Nuk Ka Vijë Buxhetore për Kërkime Shkencore

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk shpenzon as 0.1 për qind të buxhetit për hulumtime shkencore dhe shumica e profesorëve nuk kanë kohë për të bërë hulumtime meqë vrapojnë pas normave ose pas angazhimeve në universitete të tjera.

Ky përfundim doli në tryezën me temën “Studimet e  Doktoratës në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik të Universitetit të Prishtinës”, e organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Qendra për Kurajo Politike (CPC).

Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha tha që UP-ja nuk planifikon që në një të ardhme të afërt të ndajë buxhet për kërkime shkencore.

“Nuk mendoj që në një të ardhme të afërt do të ketë ndryshim të buxhetit. Universiteti i Prishtinës është një institucion buxhetor dhe për kërkime nuk ndanë ndonjë vijë buxhetore”, tha Berisha.

E përfaqësuesi i KIPRED-it, Mentor Agani, tha se nga të gjeturat e këtij studimi është vënë theksi te nevoja për akreditim të profesorëve për mësimdhënie në studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës.

“Në hulumtimin tonë kemi parashtruar edhe idenë për akreditimin e profesorëve për studimet e doktoratës”, tha Agani.

Prorektorja për Buxhet dhe Financa në Universitet të Prishtinës, Myrvete Badivuku pranoi se UP-ja ka nevojë për profesorë të akredituar për studimet e doktoratës.

“Atë çka arrita të dëgjoj ishte të bëhet akreditimi i profesorëve të cilët mentorojnë kandidatët. Mendoj që është e nevojshme edhe pse profesorët që mentorojnë kandidatët nga fillimi i doktoratës me sa kam informata duhet të kenë punime së paku në pesë vitet e fundit”, tha Badivuku.

Ajo tha se Universiteti i Prishtinës e ka humbur hapin për shkak se është vonuar me hapjen e studimeve të doktoratës.

Ndërsa përfaqësuesi i Qendrës për Kurajo Politike (CPC), Arben Hajrullahu, duke përmendur disa probleme brenda Universitetit të Prishtinës, vuri theksin te plagjiatura nga disa prej profesorëve të UP-së dhe mosndëshkueshmëria ndaj tyre.

“Ne kemi profesorë me kredenciale jashtëzakonisht të dyshimta akademike. Prej asaj që kanë doktorata me plagjiat dhe mban titull dhe mentoron kandidatë master dhe doktorantë”, tha Hajrullahu.

Gjatë kësaj tryeze u tha se 20 deri 30 për qind e profesorëve  në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik janë në gjendje të përcjellin literaturën në gjuhën angleze si dhe disa nga profesorët që kanë kryer shkollimin në sisteme të kaluara u mungon trajnimi adekuat për metodologji hulumtuese.

Punimi “Studimet e Doktoratës në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik të Universitetit të Prishtinës” është realizuar duke u bazuar në intervistat e 13 personave, në mesin e tyre edhe profesorë të UP-së.