UP shpërblen me nga 2 mijë euro ekipin që zunë vendin e tretë në botë në garën e drejtësisë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, kanë pritur sot në takim ekipin e Fakultetit Juridik, të cilët dolën të tretët në garën prestigjioze të drejtësisë në botë, “Willem C Vis International Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë.

Qerimi u ka shprehur dhe një herë falënderime ekipit për përfaqësimin dinjitoz të Universitetit të Prishtinës në skenën botërore.

Sipas njoftimit, krahas mirënjohjeve, Universiteti ka ndarë edhe shpërblimin financiar në vlerën 2000 euro për secilin anëtar dhe trajner të ekipit.

“Ky rezultat në shumë drejtime është i pamatshëm dhe çfarëdo shpërblimi për të, ka gjasë të mos e reflektojë vlerën reale të punës dhe të rezultatit. Megjithatë, krahas mirënjohjeve, Universiteti ka ndarë edhe shpërblimin financiar në vlerën 2000 euro për secilin anëtar dhe trajner të ekipit për këtë arritje të jashtëzakonshme, duke u renditur në treshen më të mirë nga qindra universitete pjesëmarrëse nga e mbarë bota”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se Drejtuesit e UP-së shprehën dhe një herë zotimin e tyre të vijueshëm për të mbështetur me çdo formë dhe mundësi nismat dhe punën e studentëve dhe të stafit, që i kontribuon rritjes dhe vlerave të Universitetit të Prishtinës.

Gjashtë studentët e Fakultetit Juridik më 29.03.2024, arritën të hyjnë në top-treshen më të mirë në botë në një konkurrencë prej rreth 400 universitetesh nga e gjithë bota.

Studentët që lanë pas studentët e univeristeteve më të sukseshme botërore si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, janë: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri trajnerët profesorë janë Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj.

Të njëjtit, më 02.04.2024, kanë marrë mirënjohje presidenciale nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.