Thaçi Vazhdon të Jetë i Mllefosur me Brukselin

Si në mbledhjen e qeverisë dje, edhe sot Hashim Thaçi u është drejtuar deputetëve me gjuhë të ashpër ndaj BE-së rreth liberalizimit.

Thaçi edhe në Kuvend komentoi raportin e Këshillit të Evropës që megjithëse vlerësoi përparimet, nuk rekomandoi liberalizim vizash për Kosovën.

“Dua ta konsideroj edhe si provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Është fyerje direkte që u bëhet qytetarëve të Kosovës mosnxjerrja e raportit,” tha Thaçi.

Ai tha se edhe pse nuk ka nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe kohën e udhëheqësit të saj Tito, atëherë kosovarët sipas tij lëviznin të lirë.

“BE-ja duhet t’i japë fund këtij trajtimi diskriminues ndaj Kosovës,” tha Thaçi.

Ai dje në mbledhjen e qeverisë kishte thënë se nëse nuk jepet rekomandim që kosovarëve t’u hiqen vizat vitin e ardhshëm, ata kanë të drejtë të protestojnë para zyrës së BE-së. Sot Thaçi tha se nuk është për protestë, por për ngritje të zërit të protestës.

“Edhe sot besoj fuqishëm në Bashkimin Evropian, por me te vërtetë tash e tutje asnjë argument nuk e ka BE-ja për shtyrjen e liberalizimit të vizave,” tha Thaçi.