Gjykimi-i-Arben-Bashotes-foto-KALLXOcom

Rast i shënjestruar, dështon seanca, mungojnë dësmitarët

Është shtyrë seanca gjyqësore në gjykimin për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Ky rast është në mesin e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Arsyeja e shtyrjes së seancës ishte për shkak të mungesës së tre dëshmitareve.

Dëshmitaret e paraparë që të dëgjoheshin për ditën e sotme ishin Hasan Hasani, Skender Bulqiza e Ismajl Dautaj. Për dëshmitarin Hasan Hasani, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, tha se fletëkthesa nuk është kthyer në gjykatë, ndërsa gruaja e tij ka lajmëruar se ai gjendet për pushime në Shqipëri.

Për dëshmitarin tjetër Skender Bulqiza i cili është shtetas i Shqipërisë, kryetari i trupit gjykues tha se ndonëse gjykata ka përdorur marrëveshjen për bashkëpunim ndërkombëtar juridik për sigurimin e të njëjtit për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor, prapë se prapë ky dëshmitar nuk është paraqitur në gjykatë.

Kurse për dëshmitarin Ismajl Dautaj, gjyqtari Hoti tha se sipas informacioneve që ka, ai ka ndërruar jetë.

“Mungon Ismajl Dautaj i cili nuk e ka pranuar ftesën por sipas kryetarit të trupit gjykues në bazë të disa informacioneve që ka marrë i njëjti ka ndërruar jetë, por për shkak se nuk kemi pasur të dhëna më shumë për këtë dëshmitar nuk kemi mundur të i drejtohemi komunës së Prishtinës që të vërtetojmë nëse i njëjti person ka ndërruar jetë apo është lëshuar certifikata e vdekjes”, tha gjyqtari Hoti.

Seanca e radhës është caktuar për datën 10 shtator.

Në këtë rast Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”. Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.

Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.