Foto-ilustrim
Prek fundin rigjykimi i të akuzuarve për transport droge nga Maqedonia e Veriut në Kosovë me destinacion vendet e BE-së
Në gjykimin e të akuzuarve për transport të drogës nga vendet e Ballkanit drejt vendeve të BE-së, që po zhvillohet në Gjykatën e Prishtinës, sot është dhënë fjala përfundimtare nga të pandehurit.
Të akuzuar në këtë rast janë Tahir Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi.
Mbrojtësit e të akuzuarve Tahir Semsiji dhe Fidan Rashiti kërkuan nga Gjykata të merren për bazë rrethanat lehtësuese dhe të zbutet dënimi i tyre.
Ndërsa mbrojtësi i Sulltan Rashitit, Granit Ramadani, kërkoi nga Gjykata lirimin e të mbrojturit të tij pasi që, sipas tij, nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale.
Ramiz Krasniqi, mbrojtësi i Ali Rrustemit, kërkoi ndërkaq nga Gjykata të shpallë për të dënim më të ulët sesa për të akuzuarit kryesorë.
Ndërsa, Prokuroria kërkoi që të akuzuarit të dënohen siç e parasheh ligji pasi që, sipas saj, është vërtetuar se ata kanë kryer veprat penale siç janë të përshkruara në aktakuzë.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2021 Gjykata kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Tahir Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi dhe të njëjtit i kishte dënuar si në vijim:
Arif Bekteshi ishte dënuar me dënim unik prej 5 vite e 6 muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë,
Sulltan Rashiti ishte dënuar me 5 vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë,
Fidan Rashiti ishte dënuar me 3 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë,
Ali Rrustemi ishte dënuar me 5 vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2021 Tahir Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi akuzohen për krim të organizuar si dhe për shitblerje të paautorizuar të narkotikëve.
Pas rikualifikimit të veprës penale të njëjtit ngarkohen vetëm për veprën penale blerje, shpërndarje si dhe shtije e paautorizuar e narkotikëve.
Sipas aktakuzës të njëjtit në vitin 2020 duke vepruar si grup i strukturuar, i udhëhequr nga Tahir Semsiji, kanë transportuar drogë të llojit marihuanë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas dhe për destinacion të fundit kishin vendet e Bashkimit Evropian.
Sulltan dhe Fidan Rashiti ishin të angazhuar për të sjellë drogën në Kosovë dhe ta dorëzojnë tek Ali Rrustemi, e ky e kishte për detyrë shpërndarjen e drogës jashtë Kosovës.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Sulltan dhe Fidan Rashiti ishin takuar me Tahir Semsijin dhe një person tjetër në Shkup. Semsiji ia kishte dhënë celësat e një veture në të cilën kishte rreth 47 kg drogë të akuzuarit Fidan Rashiti, me qëllim që përmes personit të panjohur të dërgohet droga në shtëpinë e të akuzuarit Sulltan Rashiti që ta mbante deri ditën e nesërme, e më pas Tahir Semsiji do ta dorëzonte drogën tek i akuzuari tjetër, Ali Rrustemi. Ky i fundit akuzohet se do ta dërgonte drogën në vendet e BE-së.
Më 12 dhjetor 2020 të dyshuarit janë kapur në flagrancë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, me përjashtim të Sulltan Rashitit, i cili kishte rolin e vëzhguesit nga distanca të transportit të drogës dhe porsa vëren Policinë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa Arif Bekteshin Prokuroria po e ngarkon edhe për mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armës.