Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Loja e Albin Kurtit me statistikat e krimit

Një deklaratë për më shumë se 1 mijë operacione policore për luftimin e krimit në Kosovë nuk po i përputhet me të dhëna zyrtare të Prokurorisë së Shtetit kryeministrit Albin Kurti.

“Me mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë”- ka shkruar Kurti në një status në Facebook gjatë ditës së djeshme me ç’rast tha se të gjitha këto janë kryer në një periudhë prej dy vjet e gjysmë mandat qeverisës nën udhëheqjen e tij.

Por KALLXO.com gjatë një hulumtimi në disa raporte zyrtare të institucionit të drejtësisë që heton këto raste të veprimtarive penale zbuloi lojën me të cilën Kurti e arriti shifrën e 1,000 operacioneve.

Në një kërkim të thjeshtë në Google, qytetarët kanë qasje në të dhënat e Prokurorisë së Shtetit.

Këto të dhëna publikohen çdo vit nga Prokuroria e Shtetit me detaje për raste të cilat ata hetojnë.

Të dhënat e Prokurorisë thonë se për dy vite e gjysmë (janar 2021- qershor 2023) janë vetëm 58 raste të reja të krimit të organizuar me 439 persona të dyshuar.

Gjatë vitit 2021, Prokuroria e Shtetit për veprat penale të krimit të organizuar kishte në punë 70 raste me 479 persona, prej të cilave si raste të reja ishin pranuar në punë 25 raste me 222 persona.

Gjatë vitit 2022, Prokuroria e Shtetit për veprat penale të krimit të organizuar kishte në punë 83 raste me 556 persona, prej të cilave si raste të reja ishin pranuar në punë 25 raste me 145 persona.

Në periudhën janar- qershor 2023 sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Shtetit janë regjistruar 8 raste të krimit të organizuar me 72 persona të involvuar.

Në raportet policore vjetore të dy viteve të kaluara numri i operacioneve për krim të organizuar del më i vogël se ai që ka përmendur Kurti.

Për shembull në raportin vjetor të Policisë së Kosovës për vitin 2021 thuhet se në kuadër të operacioneve për krim të organizuar gjatë atij viti janë realizuar 31 të tilla ndërsa në raportin e vitit 2022 nuk përmenden sa operacione saktë janë kryer për krim të organizuar duke specifikuar se vetëm vepra penale krim i organizuar janë regjistruar dy raste.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime se nga erdhi shifra prej 1,000 operacioneve kundër krimit të organizuar por ende nuk ka marrë përgjigje nga Policia e Kosovës.

Pra, Policia e Kosovës ende nuk ka thënë asgjë nëse qëndron mbrapa apo jo të këtyre statistikave që ka publikuar Kurti në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com publikoi edhe ndryshimin e fjalëve të Kurtit për operacionet e drogës.

Në fillim të vitit, Kurti kishte publikuar për shumicën e sektorëve punën që është bërë gjatë vitit 2022.

Ai kishte folur edhe për punën që kishte kryer Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar, duke thënë se për një vit Policia kishte shkatërruar laboratore të drogës në vlerë qindra milionëshe.

“Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri” – kishte thënë shefi i Qeverisë më 9 janar 2023.

Mirëpo, nga vlera qindra milionëshe, kryeministri ra në vlerë dhjetëra milionë, e po ashtu zgjeroi periudhën kohore.

Kurti dje, më 18 tetor 2023, teksa prezantoi punën e Policisë, kësaj radhe për dy vjet e gjysmë tha se “vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro”.

Kurti në postimin e tij dje tha se gjatë dy viteve e gjysmë janë kryer mbi një mijë operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, dhe se Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë.

“Ajo [Policia e Kosovës] sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend. Falë punës së institucioneve të sigurisë, janë lokalizuar dhe shkatërruar 16 laboratorë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit. Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike” – ka thënë Kurti.

Tutje ai tha se mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave dhe se Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale është mbi 90 milionë euro.

“Në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufijve përkatës që ndajmë me këto dy shtete. Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar” – tha Kurti.

Kryeministri tutje shtoi se janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit e sipas tij deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë.

Po ashtu, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se janë shkatërruar edhe gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave.