Raporti për Kosovën: Lufta kundër krimit të organizuar në veri vazhdon të jetë sfiduese

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2021 për Kosovën ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese.

Nga raporti është rekomanduar që pavarësia operacionale e agjencive të zbatimit të ligjit duhet të sigurohet.

Sipas raportit, në kapitullin ku flitet për drejtësi, liri dhe siguri është thënë se në Kosovë është bërë njëfarë përparimi, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, e po ashtu edhe në menaxhimin e migracionit.

Mirëpo, tutje është thënë se hyrja në fuqi e disa ligjeve të rëndësishme për luftimin e krimit të organizuar nuk ka çuar në rezultate të prekshme.

Në raport, për luftën kundër krimit të organizuar është thënë se Kosova është në një fazë të hershme në këtë luftim.

“Është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Janë arritur rezultate të kufizuara, pavarësisht ekzistimit të kornizave të duhura ligjore dhe institucionale” – u tha në raport.

Komisioni Evropian në raport ka vlerësuar se nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të siguruar hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve.

Ndërsa një vlerësim tjetër që është bërë për Kosovës, është se ky vend vazhdoi të përparojë në menaxhimin e migrimit të rregullt dhe të migrimit të përzier në kontekstin e vështirë të pandemisë COVID-19.

“Edhe pse nuk është prekur nga lëvizjet e mëdha të migrantëve, Kosova ka rritur më tej kapacitetin e saj akomodues dhe ka rritur gatishmërinë për të trajtuar një fluks të mundshëm migrimi” – thuhet në raport.

Sa i përket mjeteve që janë të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit, e të cilat ky raport i ka cilësuar të fuqishme, është thënë se ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht.

Në raport është cilësuar se gjatë kësaj periudhe në Kosovë janë realizuar një sërë operacionesh të suksesshme kundër krimit të organizuar, duke përfshirë gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar.

Në aspektin e drejtësisë, sigurisë dhe lirisë në raport është vlerësuar që në vitin e ardhshëm Kosova në veçanti duhet që të vazhdojë të përforcojë kapacitetin e Prokurorisë Speciale për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e krimit të organizuar të profilit të lartë.

Një rekomandim tjetër për Kosovën ka qenë që të krijohet një Qendër e Përbashkët e Vlerësimit të Kërcënimeve, duke përfshirë një sistem të vlerësimit të nivelit të kërcënimit për terrorizmin dhe lidhjet e lidhura me të.

Po ashtu, në raport është përfshirë edhe rekomandimi që Kosova të përmirësojë më tej qeverisjen e migracionit, koordinimin dhe monitorimin e politikave, të përforcojë kapacitetet për mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe të forcojë më tej azilin.