Beogradi

Raporti i GI-TOC: Serbia lidere për krim të organizuar në Ballkanin Perëndimor

Iniciativa Globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar (GI-TOC) ka publikuar Indeksin Global të Krimit të Organizuar. 

Përsëri Serbia është në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor, e treta në 44 shtetet në Europë apo e 40 prej 193 shteteve. 

Tek vlerësimi i akterëve kriminal, akterët e vendosur brenda shtetit (state-embedded actors) janë vlerësuar me notën 8/10, e cila tregon për lidhjen e shtetit me grupet e krimit të organizuar. 

Sipas këtij raporti, Serbia vazhdon të jetë vend burimi, tranziti dhe destinacioni për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. 

“Gratë dhe fëmijët serbë i nënshtrohen trafikimit seksual, përfshirë martesat e fëmijëve, ndërsa burrat zakonisht trafikohen për punë të detyruar, kryesisht në industrinë e ndërtimit” – tregon raporti teksa shton se një problem tjetër në Serbi është edhe shfrytëzimi seksual në internet, veçanërisht i fëmijëve. 

GI-TOC ka treguar se kontrabanda e qenieve njerëzore është një çështje e gjatë në Serbi për shkak të vendndodhjes së vendit në rrugën ballkanike të emigrantëve. 

“Një rritje e kohëve të fundit në numrin e migrantëve të parregullt në Serbi ka çuar në një rritje të mëvonshme të kontrabandës me qenie njerëzore dhe në numrin e grupeve kriminale të përfshira në këto aktivitete” – thotë ky raport. 

Tutje shtohet se viktimat e kontrabandës me qenie njerëzore në vendin fiqnj, Serbinë kanë origjinë kryesisht nga Afganistani, Pakistani, Bangladeshi dhe Siria. 

Raporti i Iniciativës Globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar bën me dije se Serbia mbetet një nga prodhuesit kryesorë të armëve në Evropën Lindore dhe se më pas armët e zjarrit devijohen në tregun ilegal. 

Sipas raportit, armët e dorës janë lehtësisht të disponueshme për aktorët kriminalë dhe tregtia e paligjshme e armëve është një burim popullor i të ardhurave për grupet kriminale në Serbi. 

“Vendi është gjithashtu një qendër tranziti në rrjedhën e armëve të konvertueshme përmes Ballkanit Perëndimor” – thuhet në raport teksa shtohet se operacionet e trafikimit zakonisht përfshijnë disa individë të lidhur mirë me lidhje me grupet e krimit të organizuar që koordinojnë blerjen dhe transferimin.

Sa i përketë drogës, GI-TOC në raport thotë se tregtia e heroinës mbetet tregu më i përhapur i drogës në Serbi. 

“Vendi shërben si një qendër tranziti heroine që lidh lindjen me perëndimin, duke përfshirë disa grupe të krimit të organizuar dhe ka dëshmi të bashkëpunimit midis organizatave kriminale në Serbi dhe vendet fqinje” – thuhet në këtë raport.

Ndërsa për kokainë, raporti tregon se Serbia mbetet një vend tranzit dhe destinacion për tregtinë e kësaj lloj droge. 

GI-TOC thotë se grupet kriminale serbe dihet se bashkëpunojnë me botën kriminale të Malit të Zi në tregtinë e kokainës në rajon, e që së bashku ata formojnë një rrjet kriminal që ka rritur sasinë e kokainës së kontrabanduar nga Amerika Latine dhe është gjithashtu i lidhur me shpërndarjen në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. 

Ndërsa, për kanabis, raporti thotë se është droga ilegale më e përdorur në Serbi, kryesisht për shkak të kostos së ulët. 

“Kanabisi zakonisht kalon transit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi përpara se të hyjë në Serbi, dhe prej andej dërgohet përgjithësisht në tregjet në Evropën Perëndimore dhe Qendrore” – thotë raporti. 

Raporti në fjalë bën të ditur se disa politikanë të rangut të lartë në Serbi thuhet se janë aleatë me huliganët e futbollit, duke marrë mbrojtje në këmbim të lejimit të tyre për të kryer aktivitete të paligjshme. 

“Për më tepër, të ashtuquajturit huliganë të futbollit janë një shqetësim, pasi ata tentojnë të bashkëpunojnë me rrjete kriminale, në disa raste duke ofruar mbështetje logjistike” – thotë GI-TOC.

Ky i fundit thotë se Qeverisja e Serbisë sfidohet nga nivelet shqetësuese të kapjes kriminale.

“Edhe pse deklarata kundër krimit të organizuar janë bërë nga politikanë të nivelit të lartë, zbatimi i kuadrit ligjor për krimin e organizuar vazhdon të jetë joefikas, veçanërisht në rastet e ndjeshme politikisht” – vazhdohet tutje

Sa i përket zbatimit të ligjit në Serbi, GI-TOC thotë se kjo kryehet kryesisht nga policia. 

“Një dobësi e madhe në kapacitetin e zbatimit të ligjit janë ndryshimet e shpeshta në udhëheqjen e departamenteve të hetimit që vijnë nga besnikëria dhe ndikimi politik. Policia serbe prej afro dy vitesh funksionon pa drejtor” – tregon raporti. 

Raporti tregon se Serbia nuk ka asnjë organ të specializuar të pavarur të mbikëqyrjes së policisë civile dhe se ankesat kundër policisë në Serbi trajtohen nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të Policisë.

Sipas këtij raporti, qeveria serbe ka ulur përpjekjet e saj të përgjithshme për mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në vitet e fundit dhe se institucionet për identifikimin, kujdesin dhe mbështetjen e këtyre viktimave nuk kanë burime të mjaftueshme njerëzore, hapësinore dhe financiare dhe nuk janë zotuar angazhime apo financa për përmirësimin e këtyre burimeve. 

Tutje thuhet se institucionet e Serbisë për parandalimin e korrupsionit në përgjithësi përmbushin standardet ndërkombëtare dhe vazhdojnë të tregojnë potencial të mirë, por sipas raportit efektiviteti i këtyre institucioneve minohet nga burimet e kufizuara njerëzore, shkëmbimi joefikas i të dhënave dhe mungesa e bashkëpunimit. 

“Serbia ka politika adekuate kundër korrupsionit, parandalimit të krimit dhe krimit të organizuar, por sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre” – ka thënë GI-TOC .

Raporti thotë se Serbia është një demokraci parlamentare me zgjedhje konkurruese shumëpartiake, por në vitet e fundit qeveria ka gërryer në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën politike dhe organizatat e shoqërisë civile. 

“Në fakt, media kontrollohet shumë nga partia në pushtet dhe ka pak media të pavarura që veprojnë në vend” – thuhet në raport teksta shtohet se gazetarët e pavarur po përjetojnë gjithnjë e më shumë presion, kërcënime dhe sulme fizike, shpesh në duart e grupeve dhe individëve të lidhur me qeverinë, me pak reagim nga qeveria. 

Raportin e plotë të Iniciativës Globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar (GI-TOC) mund ta gjeni KËTU.