Dështon sërish seanca ndaj ish kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq

Në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Mehdi Haxhiu, Sabit Rama, ka dështuar të mbahet seanca për krim të organizuar ku i akuzuar është ish-kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq së bashku me 14 persona të tjerë.

Sipas Mehdi Haxhiut, mbrojtësi i tij nuk ka mundur të prezantoj sot për shkaqe shëndetësore.

Për këtë vepër penale mbrojta është e detyrueshme, e në mungesë të mbrojtësit Sabit Rama seanca e sotme u shtye për datën 27 shkurt të këtij viti.

Ish-Kryetari i Komunës së Leposaviqit bashkë me 14 të tjerë janë të  akuzuar për krim të organizuar.

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviq, Haxhi Bejtën, Aleksander Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksander Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si Drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti ju ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.

Për lajme të tjera lidhur me këtë rast mund ti ndiqni duke klikuar këtu- LINK