Foto: KALLXO.com

Mbyllen përkohësisht 34 qendra masazhi dhe lokale nate në Kosovë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka mbyllur përkohësisht 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate.

Siç njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), aksioni është kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ATK-në dhe Inspektoratin e Punës.

Sipas MINT-it, këto biznese janë mbyllur për shkak të mosregjistrimit dhe mungesës së pëlqimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.

“Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 45 masa ndëshkuese – sipas legjislacionit në fuqi.” – bëhet e ditur në njoftimin e lëshuar, më 16.12.2024.

Aksioni është zhvilluar në 126 subjekte ekonomike, përkatësisht në 69 operatorë ekonomikë, të cilët kanë ushtruar veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore – si qendra masazhi dhe 57 operatorë ekonomikë, që ushtrojnë veprimtari të argëtimit e rekreacionit – si lokale të muzikës.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka paralajmëruar se konform kompetencave ligjore që ka “do t’i vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje, do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë, si dhe masa të tjera ndëshkuese – sipas legjislacionit aktual në fuqi.”

Shënim artikulli është edituar në fotografinë e ballinës. Publikuesi Ministria e Tregtisë e ka larguar fotografinë nga njoftimi në rrjetet sociale dhe mbi këtë bazë është larguar edhe fotografia në kallxo.com