Çmimet maksimale të derivateve të naftës për sot
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës që vlejnë për të martën, më 02.06.2026.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.48 euro për litër ndërsa benzina mund të shitet deri në 1.41 euro për litër.
Çmimi i gazit është kufizuar në 0.72 euro për litër.
Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00, ka bërë të ditur Ministria.
Qytetarët që kanë ankesa mund t’i adresojnë në [email protected] ose në numrin e telefonit 0800 11000.
Krahasuar me ditën e hënë (01.06.2026), çmimi i naftës është zbritur për dy centë, pasi që një ditë më parë nafta ishte 1.50 centë për litër.
Benzina dhe gazi po ashtu janë zbritur për një cent.
Opozita në Kuvend, në legjislaturën e cila doli nga zgjedhjet e 28.12.2025 dhe përfundoi më 28.04.2026, kishte kërkuar nga Qeveria të heqë akcizën ose TVSH-në në derivate, duke thënë se kjo do të ulte çmimin në treg.
Por, ministrja në detyrë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit më 03.04.2026 tha se heqja e akcizës ose TVSH-së do të ndikonte vetëm tek operatorët, por jo edhe te qytetarët.
LDK me përkrahje të PDK-së dhe AAK-së kishte paraqitur propozim-rezolutën lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Një gjë e tillë nuk u përkrah nga LVV-ja dhe si rrjedhojë rezoluta nuk arriti të votohet më 03.04.2026 pasi nuk pati kuorum.
Më herët në muajin mars, MINTI-i kishte marrë një tjetër vendim në lidhje me çmimet e derivateve, duke përcaktuar marzhën tregtare të fitimit të lejuar prej 2 centë për litër për shitjet me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjet me pakicë.
Në rritjen e çmimit të naftës në botë ka ndikuar edhe lufta kundër Iranit, ndaj të cilit më 28.02.2026, SHBA nisi sulme ajrore të koordinuara.
Regjimi iranian është kundërpërgjigjur duke sulmuar baza ushtarake dhe përfaqësi diplomatike në vendet e rajonit por ka bombarduar edhe objekte të tjera të vendeve që konsiderohen si aleatë të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, Irani vazhdon të sulmojë edhe caqe në territorin izraelit.