LVV Akuzon Enver Hoxhajn për Aferë Korruptive

Lëvizja Vetëvendosje akuzon ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn, për nepotizëm dhe aferë korruptive.

Dardan Sejdiu nga LVV tha se në vitin 2011 ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme ka nënshkruar marrëveshje me Luksemburgun për ndihmë në projekte dhe një ndër ta ka qenë edhe për ndërtimin e Sistemi të Informimit Shëndetësor.
“Në vitin 2011 nënshkruhet kjo marrëveshje, në vitin 2012 hapet tenderi për ndërtimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor, për blerjen e hardwer-it. Kjo kontratë është nënshkruar nga katër palë: Ministria e Shëndetësisë, financuesi, donatori dhe kontraktuesi. Kompania që e fiton tenderin është kompania “Printpek”, e cila këtu përfaqësohet nga Ymer Shahini. Enver Hoxhaj është dhëndër i Ymer Shahinit, pra kanë lidhje familjare”, deklaroi ai.
Sipas Sejdiut, Shahini ka nënshkruar kontratë si përfaqësues i “Printpek”, por në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve ky person nuk figuron si përfaqësues i kompanisë.
“Në vitin 2015 është dashur që ky sistem të ishte në funksion. Tash jemi në vitin 2016 dhe janë paguar 1 milion euro. Asnjë fjalë të vetme s’e kemi as nga Ministria  e Shëndetësisë e as nga Prokuroria, që i ka filluar hetimet”, tha Sejdiu
“Sot, katër vite më vonë, kemi ardhur në një situatë ku vlera e kontratës ka qenë 1.5 milion euro, pagesa në vlerë prej 1 milion euro është bërë dhe në ndërkohë Ymer Shahini po kërkohet nga Interpoli dhe FBI për mashtrim multimilionësh në nivel ndërkombëtar”, theksoi zyrtari i LVV-së.

Ndërsa, Mirsad Shkreta nga Komiteti për Shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje tha se shqetësuese është mosreagimi i institucioneve dhe i të përfshirëve në këtë rast.
Sipas tij, ky është një dështim që do të ndikojë edhe te sigurimet shëndetësore.

“Kjo përfundimisht e pamundëson zhvillimin e sektorit shëndetësor sepse është parakusht që të realizohen sigurimet shëndetësore, të realizohet ajo që është lista esenciale e barnave në kuptimin sasior dhe cilësor, si dhe të shihet nevojat se sa dhe  si duhet të bëhen furnizimet”, tha Shkreta.
Sistemi Informativ Shëndetësor do të kontribuonte në lehtësimin e punës së punëtorëve shëndetësorë dhe qasjen e pacientëve nëpër institucione shëndetësore.
Ish-ministri Enver Hoxhaj i kontaktuar nga KALLXO.com tha se shumë shpejt do të dalë me një qëndrim, duke mos dashur paraprakisht të komentojë asgjë nga ajo që u tha në selinë e Vetëvendosjes sot.
KALLXO.com provoi të kontaktojë edhe kryeprokurorin Imer Beka, por ai nuk u përgjigj në telefonata.