Kuçi: Është Rritur Kërkesa për Drejtësi Efikase dhe të Paanshme

Qytetarët e Kosovës po kërkojnë drejtësi efikase dhe të paanshme çdo ditë e më shumë, tha ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot në ceremoninë e dhënies së certifikatave për kandidatët të cilët kanë kaluar provimin e jurisprudencës.

84 kandidatë që e kanë kaluar këtë provim janë certifikuar sot dhe me këtë ata kanë marrë lejen për ushtrimin e punëve profesionale.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi, tha se rritja e kërkesës për drejtësi efikase forcon shtetin e Kosovës.

‘’Është rritur kërkesa për drejtësi në Republikën e Kosovës dhe këtë duhet ta marrim pozitive. Ata që punojnë me nder dhe paanshmëri duhet t’i forcojmë, ngase me ata forcojmë shtetin tonë’’, tha ministri Kuçi.

Ndërsa kryetari i komisionit për jurisprudencë dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, tha se të sapocertifikuarit do të ndihmojnë në rritjen e kapacitetit në sistemin e drejtësisë.

‘’Ju do të jeni një kontingjent i mirë për të gjithë ne veçmas për sistemin e drejtësisë,  për t’i rritur kapacitetet për faktin se ne kemi pasur problem me përmbushjen e kapaciteteve në mungesë të kuadrove’’, tha Hasani.

Kurse kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se këta kandidatë do ta begatojnë drejtësinë.

‘’Me të vërtetë po ndihem mirë si kryesues i Këshilli Gjyqësor sepse po promovohen disa vlera të rëndësishme dhe me këta kandidatë me siguri që sistemi gjyqësor dhe drejtësia në përgjithësi do të begatohet’’, tha Peci.