Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Falja e 100 eurove të tatimit në pronë, ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Kushtetuesja ka nxjerrë aktgjykim përmes të cilit ka konstatuar se plotësim-ndryshimi i fundit i Ligjit për tatimet mbi pronat e paluajtshme nuk cenon kompetencat vetanake të komunave.

Plotësim-ndryshimi në fjalë mundëson zbritjen për 100 euro në faturat e tatimit në pronë të qytetarëve për vitin 2023.

Në interpretimin e dispozitave të kontestuara përmes aktgjykimit të publikuar sot, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se Ligji i kontestuar nuk detyron kuvendet komunale përkatëse, por saktëson bazën ligjore sipas të cilës u mundëson të njëjtave për të vendosur lidhur me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar.

Si i tillë, shkruhet mëtutje në aktgjykim, ai nuk cenon përgjegjësitë komunale apo nuk zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm.

Në aktgjykim e nxjerrë, Gjykata ka deklaruar se nuk kontestohet se çështjet që ndërlidhen me tatimin në pronën e paluajtshme janë kompetencë vetanake e komunave. Kjo, sipas Kushtetueses, duke u bazuar në nenet përkatëse të Kushtetutës, Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ligjin për financat e pushtetit lokal dhe Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Vendimi është marrë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani, kryetare, Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar dhe gjyqtarët Selvete Gerxhaliu-Krasniqi, Safet Hoxha, Radomir Laban, Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi,  dhe Enver Peci.

Si përfundoi plotësim-ndryshimi i Ligjit për tatimin mbi pronat e paluajtshme në Kushtetuese?

Në prill të këtij viti, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të ndryshim/plotësimit të fundit të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Arsyetimi i Shaqir Totajt për ndërmarrjen e këtij hapi ishte se plotësim-ndryshimi në fjalë e shkurton buxhetin e komunave dhe cenon autonominë financiare të tyre.

Madje Totaj kishte thënë se te Komuna e Prizrenit zvogëlimi i të hyrave buxhetore do të jetë deri në 3 milionë euro.

Kurse në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese kishte llogaritur se në nivel të pushtetit lokal të Kosovës zvogëlimi ishte deri në vlerën prej 27 milionë eurove, sipas të dhënave të referuara nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Zbatimi i nenit 5 të Ligjit të kontestuar, përkitazi me mundësinë e vendimmarrjes për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas kufizimeve dhe afateve kohore të saktësuara në të njëjtin, është në diskrecion dhe kompetencë të plotë të kuvendeve përkatëse komunale.   

Shaqir Totaj po ashtu kishte kërkuar nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të çështjes, të vendosë masë të përkohshme, e cila do të pezullonte efektin e Ligjit.

Kjo kërkesë ishte miratuar nga Kushtetuesja dhe ishte në efekt deri më 30 nëntor.

Ky plotësim-ndryshim ishte miratuar në seancë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti nga Kuvendi i Kosovës pa përkrahjen e opozitës.

Çka thotë neni i kontestuar, përkatësisht neni 5?

Neni i kontestuar përcakton që çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit në pronë.

Aty qartësohet se shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se 100 euro.

Neni përcakton se vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji.

E në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, sipas plotësim ndryshimit të bërë, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

Zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë, për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës përkatëse, qartësohet aty.

Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite përfundon neni.