Suzana Zogiani- Sekiraqa, seanca 16.11.2023, Foto: KALLXO.com
Vrasja e burrit me sëpatë: Abuzimi me fëmijën ‘skenar që do i'a kishte zili edhe Hitchcock'
‘‘… përderisa vet e akuzuara rrëfen një skenar të një ngjarje të pa qenë kinse me abuzimin e të miturit, e që vërtetë edhe Hiqkoku do ia kishte zili të njëjtës për ndërtimin e një skenari të tillë imagjinar…”.
Kështu e pati vlerësuar Gjykata Themelore pjesën kur Suzana kishte pretenduar se burri i saj, tanimë i ndjerë kishte abuzuar me fëmijën e tyre të mitur.
Kjo evidentohet në dosjen e gjykatës Kushtetuese me të cilën kjo çështje është kthyer në rigjykim.
Në nëntor të këtij viti, pas gjykimit dënues në 3 instancat gjyqësore, rasti i Suzana Zogëjani u rikthye përsëri në betejë gjyqësore, pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.
Alfred Hitchcock është një regjisor i njohur britanik për filma triller. Ai ishte i njohur për stilin e tij të terrorit dhe temave të errëta, që jetoi nga viti 1899 deri në vitin 1980.
Suzana në një rrëfim televiziv kishte rrëfyer momentin kur po pretendon se fëmija i saj është abuzuar nga i ndjeri, disa orë para se Suzana ta vriste të njëjtin, e këtë pretendim trupi gjykues i Themelores i përbërë nga Beqir Kalludra, Lutfi Shala dhe Shashivar Hoti e kishin vlerësuar si “sajesë” të së akuzuarës.
Ky rast aktualisht është në rigjykim tek gjykatësi Avni Syla, dhe gjykimi është mbyllur për publikun me arsyetimin për mbrojtjen e interesave të fëmijëve dhe privatësisë së dëshmitarëve francezë.
Avokatja Kosovare Kelmendi i ishte drejtuar gjykatës së Apelit me disa pretendime për shkelje të ligjit penal e të procedurës penale, duke përmendur edhe një fakt që fëmija i qiftit ishte intervistuar pa praninë e psikologut, refuzimi i themelores për t`u kryer një ekzaminim psiqik i të akuzuarës, e mos ballafaqimi me dëshmitarët dhe dëshmitë e tyre.
“… i njëjti (fëmija) ishte dëgjuar në prezëncën e punëtorëve social të QPS-së (Qendrës për Punë Sociale) në Prishtinë” – e kishte arsyetuar Apeli refuzimin që dëshminë e fëmijës ta shpallte si të papranueshme ashtu siç kërkoi mbrojtja e Sekiraqës.
Kurse mosmundësimin e përballjes së të akuzuarës me dëshmitë që kanë qenë të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, Kushtetuesja ka vlerësuar se gjykatat më të ulëta i kishin dhënë peshë të konsiderueshme dhe kanë vënë në dukje elemente agresive të të akuzuarës.
Tutje, kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykatat në fjalë nuk kishin ‘’marrë mundin’’ që të sigurohet prezenca e dëshmitarëve në procedurë qoftë edhe përmes video-lidhjes në mënyrë që e akuzuara të ballafaqohej me ta.
Se e akuzuara kishte bërë kërkesë për ekzaminim psiqik, e kjo kërkesë ishte refuzuar nga të gjitha gjykatat, Kushtetuesja vlerësoi se e akuzuara ishte vendosur në mënyrë të pabarabartë në procedurë, duke konstatuar se Themelorja kishte përdorur gjuhë paragjykuese kur kishte thënë se ‘për sajimet e saja do i kishte zili edhe Hiqkoku’, dhe e kishte vlerësuar vetë gjendjen mendore të të akuzuarës.
Sipas Themelores, nuk kishte pasur nevojë për ekzaminim psiqik meqë “e akuzuara nuk kishte manifestuar ndonjë sjellje që do e vënte në pikëpyetje aftësinë e veprimeve të saja… përkundrazi e akuzuara kishte qenë në gjendje ta drejtojë veturën në rrugëtim të gjatë pa pasur asnjë problem…”.
Dosja e gjykatës Kushtetuese evidenton se e akuzuara kishte probleme me të ndjerin që nga viti kur ishin në marrëdhënie bashkëshortore – 2007-ta.
Përveç probleme me ligjin për dhunë në familje në Kosovë, i ndjeri kishte qenë i dënuar edhe nga shteti i Francës një muaj para vrasjes, më 7 gusht të vitit 2018 si rezultat i dhunës familjare duke i’u shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 3 muajsh.
Sipas dosjes së Gjykatës Kushtetuese, vrasja kishte ndodhur më 21 shtator të vitit 2018, kurse ditën e vrasjes Suzana ishte nisur nga Franca për në Kosovë, bashkë me fëmijët e saj.
Sipas Gjykatës Themelore, vrasja kishte ndodhur teksa i ndjeri kishte qenë në gjumë.
“… bazuar në mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale nga e akuzuara Suzana Zogëjani Sekiraqa, tek e njëjta ka ekzistuar dashja direkte dhe këmbngulësia për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, vrasje kjo e keyer në kuadër të dy rrethanave cilësuese, siç janë privimi nga jeta e anëtarit të familjes, në rastin konkret të bashkëshortit tani të ndjerë dhe vrasja në mënyrë dinake ashtu që privimi nga jeta ka ndodhur derisa i ndjeri ishte duke fjetur…” – përshkruhet në arsyetimin e kësaj gjykate.
Kurse rrugën nga Franca për në Kosovë, gjykata e kishte konsideruar Suzanën “të relaksuar” gjersa kishte bërë këtë rrugë me veturë bashkë me fëmijët e saj.
Më 4 tetor të po atij viti, autoritetet franceze kishin lëshuar 2 urdhërarreste – atë ndërkombëtar dhe europian, ku po në të njejtën ditë ajo ishte paraqitur në Ambasadën e Francës dhe ishte arrestuar nga policia e Kosovës.
“Epilogun” gjyqësor ky rast njëherë e mori më 24 janar të vitit 2020, ku pas mbajtjes së disa seancave në Gjykatën e Prishtinës, e njëjta ishte shpallur fajtore dhe dënuar me 25 vite burgim, e gjykata nuk kishte gjetur asnjë rrethanë lehtësuese.
Ndaj këtij dënimi, ankesë kishte paraqitur edhe mbrojtja e të akuzuarës edhe prokuroria – të dy duke kërkuar gjëra të ndryshme. Prokuroria kërkonte dënim më të lartë, e mbrojtja kërkonte rigjykim.
Apeli e vërtetoi lartësinë e dënimit prej 25 vitesh, kurse në pjesën akuzës për të cilën u dënua i’a ka hequr pjesën “vrasje në mënyrë dinake dhe mizore…”.
Ky rast aktualisht është në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës, duke u trajtuar në seancë të mbyllur për publikun për shkak të mbrojtjes së interesave të fëmijëve dhe privatësisë së dëshmitarëve francezë.