Dyshohet se ka keqpërdorur kartelat bankare, 30 ditë paraburgim të dyshuarit

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B.

Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo kreditit.

Kjo është bërë e ditur nga Gjykata e Ferizajt e cila ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 29 maj 2019, në bashkëkryerje me personin D.ZH., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe personin tjetër kanë përdorur në mënyrë të paautorizuar kartelën bankare “Visa” të cilën paraprakisht e kishin modifikuar si dhe i kishin regjistruar të dhënat në mënyrë të paautorizuar në kartelën bankare, duke tentuar që të tërheqin para nga bankomati dhe e njëjtat iu konfiskohet nga bankomati në mënyrë automatike, me ç‘rast të njëjtit kishin tentuar të kryejnë veprën penale e cila kishte mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

Paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë sipas procedurës, pasi vetëm në këtë mënyrë do të zhvillohet pa pengesa hetimi ndaj të dyshuarit.