Foto-ilustrim

Thaçi e Veseli: Autostrada Dhuratë për Vit të Ri

Dita e fundit e këtij viti u zgjodh për të lëshuar në qarkullim një pjesë të autostradës “Arbën Xhaferi” që do të lidhë kur të përfundojë Prishtinën me kufirin drejt Maqedonisë.

Prej sot qytetarët mund të vozisin nga lidhja e kësaj autostrade me pjesën kosovare të “Rrugës së Kombit” e deri në fshatin Babush.

Ceremonisë së lëshimit në qarkullim të autostradës nuk i munguan tre krerët e shtetit-Presidenti Thaçi, Kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

“Unë dëshiroj t’u falënderoj shumë sot për ardhjen në këtë aktivitet të përbashkët, në këtë vepër të përbashkët, në këtë sukses të përbashkët,” tha Kryeministri Mustafa, duke treguar se nuk do të flasë shumë dhe nuk do të mbajë fjalim.

Presidenti Thaçi, përurimin e kësaj pjese të autostradës e vlerësoi ditë të veçantë për institucionet dhe qytetarët e republikës.

“Kjo është dhurata më e mirë që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës për shtetin, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë fundvit dhe për Vitin e Ri,” tha Thaçi.

Edhe Kadri Veseli në fjalën e tij e përmendi autostradën si dhuratë për Vitin e Ri, ndërsa e cilësoi atë bazament të zhvillimit që sipas tij do të ketë Kosova në të ardhmen.

“Këto investime në infrastrukturë janë bazamenti i vetë transformimit tpë madh ekonomik të cuilin do ta ketë Republika e Kosovës,” tha Veseli.

Ministri i infrastrukturës Lutfi Zharku tha se Kosova me autostradat që ndërtoi dhe po drejton do të bëhet vend atraktiv për rajonin.

“Qëllimi i Ministrisë së Infrastrukturës është që vendi ynë të bëhet i paevitueshëm për trafik nga të gjitha vendet e Europës Juglindore,” tha Zharku.

Autostrada pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2017, ndërsa filloi të ndërtohej në qershor të 2014-ës. Buxhetit të Kosovës ajo është paraparë t’i kushtojë 600 milionë euro.

http://kallxo.com/nis-autostrada-prishtine-hani-i-elezit/