U kapën duke bërë gara me vetura në autostradë, policia gjobitë dy të dyshuar

Dy shoferë janë gjobitur nga Policia e Kosovës pasi janë ndaluar duke bërë gara të shpejtësisë me vetura në autostradën “Dr.Ibrahim Rugova”.

Rasti ka ndodhur më saktësisht në Trudë sot, më 28.03.2024.

“Njësia për Kontroll të Autostradave në kuadër të planit operativ ‘Parandalimi i garave ilegale të shpejtësisë’ me datë 28.03.2024 në autostradën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ në Trudë ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar duke bërë gara ilegale të shpejtësisë” – thekson Policia e Kosovës në një njoftim.

Sipas Policisë, ndaj të dyshuarve janë shqiptuar gjoba sipas ligjit të trafikut dhe janë larguar nga trafiku për procedura tjera ligjore.

Më 16.12.2023, në një garë automobilistike tre persona kanë mbetur të vdekur, si pasojë e një aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Dy të dyshuarit për këtë aksident janë Irfan Hoti dhe Arlind Syla, ndaj të cilëve është konfirmuar nga Gjykata e Prizrenit se është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.03.2024 dhe  17.03.2024 me kërkesë të prokurorisë.

Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.