'Qeveria Kurti s’po e qet kontratën me Bechtel & Enka, ndonëse ka premtuar'

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com ka thënë se në Kosovë ka shumë kontrata si ajo me kompaninë, Bechtel & Enka”.

Ai në emisionin #KallxoPernime, shtoi se Qeveria e LVV-së, ndonëse ka premtuar që do t`i publikojë kontratat e mëdha, nuk po e bën një gjë të tillë.

“Sa kontrata janë në shtetin tonë që i kena kontraktu, s`i kena paret, kthehen në miliona”- tha Gashi.

Ndërsa i dënuari për kontratën 53 milionëshit me Bechtel & Enka”, ish-këshilltar i Pal Lekajt, Eset Berisha, tha se për këtë duhet pyetur Ministrinë e Financave e të Infrastrukturës.

“Për këtë duhet pyetur këto dikastere dhe Qeverinë e Kosovës, se pse lidhin kontrata 600 milionëshe kur i ka veç 100 milionë në xhep”- tha Berisha.

Ndërsa Kreshnik Gashi nga Kallxo.com tha se kontrata s’ka transparencë.

“Hala nuk po mujna me i ra në fije se çka keni bo. Unë hala nuk e di se çka kena pagu me 53 milionë euro. Sa miksera beton janë paguar me këto miliona, sa ekspertë e konsulentë. Kujt i është zgjatur rroga, kush janë punëtorët e Bechtel & Enka”. Kush janë kompanitë shqiptare që kanë kontrata me ta, këto na nuk po i dina”- tha Gashi.

Ndërsa Berisha iu përgjigj duke i thënë që ta pyes Prokurorinë.

“Për ato pyeteni Prokurorinë. Sepse unë nuk i di. As ministri nuk i din”- tha Berisha.

“Çdo gjë në Bechtel & Enka” është mister, prokurori nuk na i ka nxjerr konton e Bechtel & Enka”. Ky hetim u bo pa e këqyrë sa pare kjo kompani i ka pas në konto. As kujt i është bërë pagesa e as kush ka përfitu”- tha Gashi.

Gashi tutje ka pyetur Berishën nëse i është bastisur shtëpia apo i është marr telefoni.

“Në shpi a ju ka ardh naj kush me ju kontrollu? Me ju këqyrë naj dokument apo diçka?”- ka shtuar tutje Gashi.

Përderisa ka folur edhe për aktakuzën, për çka Gjykata Themelore i gjeti fajtorë 4 zyrtarët për 53 milionëshin, nuk argumenton që të dënuarit të kenë përfituar diçka për vete.

“Nuk ka hetim me pa pasurinë as tënden, as të Pal Lekajt, as të këtyre dy tjerëve. A keni mujt ju ato pare me i marr për veti, prokurori këtë s’ka arrit me hetu. Duhet me e pa a keni përfitu për vete, familja jote, etj. A të ka financu dikush për me ardh në pushtet”- tha tutje ai.

Sipas tij prokuroria, policia, njerëzit që është dashur ta kryejnë këtë punë, pra hetimin e mirëfilltë të kontratës për 53 milionëshin, kanë dështuar.

“Populli i Kosovës duhet me e ditë që as kjo Qeveri, as ato të kalumet nuk na kanë dhënë llogari për 2 miliardë euro të autostradave, njerëzit nuk duhet me mendu që kjo punë është mshel me kaq. Këtë vend duhet me pas dikë që i shikon këto kontrata, na i zbardh ato kontrata edhe e këqyrim çka ka ndodh me të se janë paret kryesore të investimeve kapitale të këtij vendi për 10 vjet, 2 miliardë”- tha ai.

Ai ka kritikuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës së Liburn Aliut që se ka dërgu ende kontratën në Prokurori.

“Këtë vend ende s’ka prokurorë, policë, hala nuk ka njësi të cilat kanë guxu me ju hy përnime, nuk ka as ministri, këqyreni edhe Ministria e Transportit hala se ka çu kontratën në Prokurori”- tha Gashi.

“Krejt do kontrata tjera të vogla u hi i ka këqyrë, do rrugë qaty e po i qesin në Fcb, kishe janë t`u e zbulu korrupsionin. Nuk kanë hi me këqyrë, ministrat këtë kontratë. Jam t`u fol çka politika po tutet me fol edhe nuk kemi votuar këtë qeveri e cila ka thënë se ka me fol, ka thënë se kena me qitë kontratën, kena me hetu, kena me çu krejt zyrën e partisë me këqyrë kush i ka marr paret, qitu po ndalet tash puna. Se janë do gra të politikanëve, do kompani që i kanë financu, prandaj u blloku”- tha Gashi.

LIVE – Si u hetua rasti i 53 milionëshit?

Pal Lekaj, ish-ministri i Infrastrukturës, tani deputet i AAK-së kishte reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore që e shpalli atë fajtor për rastin e “53-milionëshit”.

Zyra për Media e AAK-së ka dërguar një reagim të deputetit Pak Lekaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Lekaj përmes këtij reagimi, paralajmëroi ankimim të vendimit në Gjykatë të Apelit, duke thënë se është i bindur që vendimi do të shpallet i pavlefshëm.

Reagon Pal Lekaj: Jam i bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi