“Model Y” i Tesla-s automjeti më i shitur në botë për vitin 2023

Tesla, kompania kaliforniane që prodhon automjete elektrike dhe një nga kompanitë e para të Elon Musk, tashmë është bërë prodhuesi i automjetit më të shitur në botë.

Pavarësisht se u themelua vetëm në vitin 2003, Tesla ka shkaktuar një ndryshim sizmik në peizazhin e automobilave, duke krijuar një model elektrik që tejkaloi konkurrentët e tij dhe theu rekorde për t’u bërë Automjeti i parë Elektrik që udhëheq me tregun global.

Ndërkohë që një numër i vogël tregjesh ende nuk i kanë publikuar shifrat e tyre të shitjeve për vitin 2023, shifrat paraprake të përpiluara nga JATO Dynamics tregojnë Modelin Y në një pozicion të padiskutueshëm, me 1.23 milionë njësi të shitura midis janarit dhe dhjetorit 2023 – që është një rritje prej 64% nga viti në vit.

Felipe Munoz, analist global në JATO Dynamics, komenton se “Rritja e shitjeve globale të Modelit Y është e paprecedentë, veçanërisht për dhjetë automjetet më të shitura. Ajo që Tesla ka qenë në gjendje të arrijë me Modelin Y në një kohë kaq të shkurtër është thjesht e mahnitshme”.

Toyota bie nga froni

Sipas të dhënave paraprake, viti 2023 do të shënojë fundin e pozicionit të parë të Toyota-s në renditjen e modeleve, megjithëse ato janë ende padyshim marka e automjeteve më të shitura në botë. Në të njëjtën kohë, RAV4 dhe Corolla e kanë udhëhequr renditjen globale në vitet e fundit. Munoz shton tutje se “Toyota ka një prani të fortë në mbarë botën, me RAV4 (SUV) dhe Corolla (automjet kompakt) që e bëjnë këtë brend tërheqëse me një ofertë të larmishme. Megjithatë, të dy modelet nuk kanë opsione plotësisht elektrike dhe ofrojnë vetëm alternativa hibride. Ndërsa Toyota ende ka pasur një shitje të madhe në vitin 2023, RAV4 dhe Corolla thjesht nuk janë në gjendje të konkurrojnë në tregun e automjeteve elektrike, i cili po bëhet më i vendosur dhe i rëndësishëm në të gjithë Evropën dhe Kinën”.

Pavarësisht kësaj, automjeti i dytë më i shitur në vitin 2023 duhet të jetë Toyota RAV4, me 1.07 milionë njësi të shitura globalisht – nga 1.02 milionë njësi në vitin 2022, kur ajo kryesonte tregun global. Me të gjitha stilet e trupit, Corolla e Toyota zuri vendin e tretë në renditje, sipas të dhënave paraprake./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala