Si u lejua hyrja e lojtarëve pa të drejtë loje në fushë, në ndeshjen Trepça – Fushë Kosova

 

Prokuroria e Mitrovicës në mars të këtij viti kishte nisur një hetim për të parë se çfarë e përshkoi ndeshjen Trepça-Fushë Kosova, të vlefshme për xhiron 17 të Ligës së Parë të Kosovës, kategoria e dytë e vendit në futboll.

Në aktakuzën e prokurorisë së Mitrovicës lidhur me ndeshjen e futbollit ndërmjet KF Trepça dhe KF Fushë Kosova, përfshihen edhe Kemal Dumnica e Fisnik Haxhiu, të cilët sipas prokurorisë kishin ndërmarr veprime në mënyre që këtë ndeshje ta fitoj siç thuhet në akuzë në tavolinë klubi futbollistik Fushë Kosova, që ishte ekipi mysafir në ndeshjen e luajtur me 25 shkurt në Mitrovicë.

Kemal Dumnica, delegat i FFK-së për ndeshjen futbollistike kishte lejuar që në lojë të futej si lojtar zëvendësues lojtari V. A.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se kjo është bërë në kundërshtim me rregullat e garave Federative të Futbollit të Kosovës me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, duke lejuar që në ndeshjen e lartëcekur të futet në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë në minutën 63 lojtari V. A., edhe pse nuk kishte figuruar askund të lojtarët zëvendësues, e as në procesverbalin e kësaj ndeshje futbolli.

Sipas dosjes së Prokurorisë, përveç kësaj Dumnica kishte lejuar edhe aktivizimin e dy lojtarëve me numër të njëjtë të fanellave, lojtarin R. K., dhe D. A., me nurma 18 në mënyrë që pas përfundimit të ndeshjes të krijoj bazë, që klubi futbollistik Fushë Kosova të fitoj pikë të kësaj ndeshje në tavolinë përmes ankesës së parashtruar në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo gjë edhe kishte ndodhur sepse ekipi i KF Fushë Kosova sipas aktakuzës kishte fituar në tavolinë me rezultat 0 – 3 me vendim të komisionit të garave të FFK-së.

Me këtë Kemal Dumnica akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kurse i akuzuari Fisnik Haxhiu, në cilësinë e sekretarit të Klubit Futbollistik Trepça gjatë përpilimit të protokollit – procesverbalit të ndeshjes ka bërë lëshime me qëllim që t`i krijoj bazë apo mundësi që klubi i Fushë Kosovës të fitoj ndeshjen.

Përveq kësaj i akuzuari Fisnik Haxhiu, sipas pretendimeve të Prokurorisë së Mitrovicës ka përpiluar procesverbalin para se të filloj ndeshja faqen e parë dhe pas përfundimit të kësaj ndeshje faqen 2 dhe 3, përpilimin e protokollit dhe dorëzimin e informacioneve së bashku me ID kartelat e lojtarëve te delegati i FFK-së për këtë ndeshje, në atë mënyre që pas përfundimit të ndeshjes të krijoj bazë të fortë klubit të KF Fushë Kosova për fitimin e pikëve të kësaj ndeshje në tavolinë përmes ankesës se parashtruar në Federatën e Futbollit të Kosovës ku edhe ka fituar në tavolinë ekipi KF Fushë Kosova me rezultat 0 – 3 me vendim të komisionit të garave të FFK-së.

Fisnik Haxhiu po ashtu akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar.

Ndryshe këta dy të pandehur bëjnë pjesë në grupin prej katër personave ndaj të cilëve Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me ndeshjen që është luajtur ndërmje KF Trepça dhe KF Fushë Kosova me 25 shkurt të këtij viti në Mitrovicë.

KALLXO.com ka raportuar edhe gjatë ditës së djeshme detaje nga dosja e Prokurorisë lidhur me akuzat për trukimin e ndeshjes Trepça – Fushë Kosova.

Komisioni Disiplinor i FFK-së merr vendim për dyshimet për kurdisje ndërmjet Trepçës dhe Fushë Kosovës

.