Festim Alidema sulmuesi që po e shtynë Dritën drejt titullit të kampionit

Sulmuesi i krahut të majtë, Festim Alidema, iu bashkua Dritës në huazim një vjeçar në fillimin e këtij sezoni nga skuadra e njohur kroate Slaven Belupo.

23 vjeçari nga Vitia, para Dritës, në Superligën e Kosovës ishte paraqitur për Vllazninë e Pozheranit, klub nga fshati i tij i lindjes dhe për Llapin.

Alidema nuk e kishte nisur mirë sezonin vjeshtor duke hasur në vështirësi, por me kalimin e kohës e fitoi besimin e trajnerit Ardian Nuhiut.

Sulmuesi nga Pozherani i Vitisë, në sezonin pranveror është bërë lojtar i pazëvendësueshëm në formacionin e Dritës. Në tri ndeshjet e fundit i ka shënuar tre gola.

Në xhiron e fundit Drita triumfoi ndaj Trepçës ’89 falë golit të tij. Një fitore të rëndësishme 23 vjeçari ia kishte siguruar Dritës edhe më 7 mars ndaj Feronikelit, duke shënuar gol në minutat shtesë të ndeshjes.

Festim Alidema në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar se si e priti rikthimin e tij te Drita, sa kishte vështirësi në fillim të sezonit, si po ndjehet për formën e mirë që po kalon dhe a është i gatshëm që ta marrë stafetën nga Kastriot Rexha i lënduar për ta quar Dritën drejt titullit të kampionit.

Alidema është i kënaqur nga mikëpritja e skuadrës së Dritës dhe bashkëlojtarëve të tij, pavarësisht vështirësi në fillim të sezonit.

“Po normalisht si çdo fillim është i vështirë, përshtatja me ekip. Skuadra e Dritës më ka pritur shumë mirë, të gjithë nga presidenti i klubit e deri të lojtarët të cilët i kam njohur edhe më herët”, ka thënë fillimisht Alidema për KALLXO.com.

Ish-futbollisti i Vllaznisë së Pozheranit, tregon se kanë ndikuar shumë gjëra prej kthimit të tij në Superligën e Kosovës nga Kroacia. Ai ka shtuar se tani po mundohet që të hyj në formën e tij më të mirë.

“Po nga kthimi prej një lige më të fortë se Superliga e Kosovës, kam pasur ngecje shumë të madhe se kanë ndiku shumë gjëra. Por besoj që tani jam mirë dhe kam fillu me e kap ritmin e lojës dhe do të kthehem në formën më të mirë për me i ndihmu ekipit për objektivat që i kemi”, ka thënë Alidema.

Sulmuesi i gjatë 180 centimetra thotë se po kthehet Festim Alidema që të gjithë e njohin me golat e tij të shumtë dhe shoun në fushën e gjelbërt.

“Po tasht po ndihem mirë, mendoj që formën maksimale ende nuk e kam arritur, por besoj që do ta arrijë dhe të shënoj sa më shumë në mënyrë që t’i ndihmoj skuadrës për qëllimet tona”, ka thënë sulmuesi i krahut të majtë i cili i ka shënuar tre gola në tri ndeshjet e fundit.

Katër golat e shënuar në sezonin pranveror ia kanë kthyer vetëbesimin Festim Alidemës i cili është i gatshëm që të vazhdojë me këtë formë të mirë.

“Po tasht më është rikthyer vetëbesimi dhe kam arritë me i kalu shumë vështirësi që i kam pasur, por tani po ndihem mire dhe jam i gatshëm të vazhdojë të shënoj gola të tjerë”, ka thënë Alidema.

Ai është i gatshëm që ta udhëheqë Dritën drejt titullit të kampionit, pas lëndimit të qendërsulmuesit Kastriot Rexha i cili e ka përfunduar sezonin para kohës.

“Po unë do të mundohem me dhanë më të mirën prej vetes deri në fund të sezonit për me i arritë qëllimet tona. Drita ka shumë skuadër të mirë me lojtarë ndër më të mirët në Kosovë dhe me shumë përvoje që mund t’i përfundojnnë lojërat me fitore”, ka thënë ai.

Ndeshjen ndaj Prishtinës të dielën në kuadër të xhiros së 30-të, që luhet nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan, Alidema e sheh si më të rëndësishmen për këtë sezon.

“Të dielën e kemi ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, jemi mobilizuar mirë dhe jemi të motivuar shumë. Shpresoj që të shënojmë fitore”, ka thënë sulmuesi i Dritës.

Ish –sulmuesi i skuadrës kroate Slaven Belupo, është duke agjëruar përkundër angazhimit të madh në stërvitje, ai ka treguar se nuk agjëron vetëm kur ka lojë për shkak të rëndësisë së ndeshjeve.

“Ky ramazan e kemi ditur që ka me qenë i vështirë, sepse kemi shumë ndeshje deri në fund dhe agjerimë do të jetë më i vështirë se tjerat vite, mirëpo me vullneti dhe përkushtimi ndaj fesë tonë është i madh dhe po e kalojmë shumë mirë. Në ditën e ndeshjes nuk agjëroj për shkak të rëndësisë për lojë”, tregon 23 vjeçari Festim Alidema.

Festim Aliema i ka bërë 23 paraqitje në të gjitha garat duke i shënuar katër gola dhe dy asistime.

Drita pozicionohet në vendin e parë me 64 pikë pas 29 xhirove, tri p[ikë më shumë se Ballkani që gjendet në vendin e dytë.