FC Drita do të përballet me Viktoria Plezen në Ligën e Konferencës

Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita do të përballet me skuadrën e famshme çeke, Viktoria Plzen, në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.

Shorti është tërhequr të mërkurën në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.

Drita do t’i nisë garat nga rrethi i dytë, ndërsa skuadra tjetër gjilanase ‘KF Gjilani’ bashkë me ‘Dukagjinin’ do të nisin garat nga rrethi i parë.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Plzen, më 27 korrik, kurse ajo e kthimit më 3 gusht në Prishtinë.

Ndërkohë, skuadra kampione, Ballkani e ka mësuar edhe kundërshtarin e dytë eventual në Ligën e Kampionëve.

Në rast se portokallezinjtë arrijnë ta kalojnë sfidën kundër kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, atëherë në rrethin e dytë do të takohet me fituesin e ndeshjes ndërmjet Olimpia Lubjanës së Sllovenisë dhe Valmieras së Letonisë. E nëse humb nga Ludogorets, atëherë Ballkani do t’i vazhdojë garat në Ligën e Konferencës, ku do të ballafaqohet me humbësin e ndeshjes Helsinki-Larne.

Kundërshtarët e rrethit të dytë i kanë mësuar edhe Gjilani dhe Dukagjini në Ligën e Konferencës. Gjilani nëse e kalon me sukses sfidën e rrethit të parë ne skuadrën nga Luksemburgu, Progress Niederkorn, do të takohet me skuadrën daneze, Midtjylland, derisa Dukagjini në rast se e kalon skuadrën Europa nga Gjibraltari, në rrethin e dytë do të ketë punë me skuadrën e njohur kroate, Rijeka.