Zbulohen parullat e protestës

“Pa ushtri nuk ka liri’, ‘Jo pazare me Serbinë, Bashkim me Shqipërinë’, janë disa nga parullat e përgatitura nga Lëvizja Vetëvendosje për protestën që pritet të fillojë në orën 14:00.

Një kamion me banerë e parulla po zbraset nga organizatorët e protestës derisa qytetarë nga shumë komuna po zbarkojnë në kryeqytet.

Një qytetare mbante në dorë parullën ‘Bakshishet rreth kufinit, gozhdë e Nastradinit’, duke nënkuptuar kundërshtimin e shkëmbimit të territoreve.

Protesta e 29 shtatorit është thirrur nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Qëllimi i protestës sipas organizatorëve është shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Për ditë me radhë, LVV ka publikuar video promocionale dhe ka bërë tubime ku ftoi qytetarët dhe aktivistët në protestë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve që sipas tyre nënkupton edhe shkëmbim territoresh.

Autobusë falas për aktivistë dhe qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen protestës janë organizuar nga LVV me nisje nga secila komunë e Kosovës.

“Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

https://kallxo.com/punetoret-e-trepces-i-bashkohen-protestes-se-levizjes-vetevendosje/