Aksioni i "Vetëvendosjes" | Foto: LVV

VV-ja-Aksion Afër Burgut të Lipjanit

Aktivistë të “Vetëvendosjes” dhe të afërm të gjashtë të dyshuarve për sulmin në Kuvend zhvilluan sot një aksion simbolik para burgut të Lipjanit.

Sipas një komunikate të LVV-së në kohën kur në këtë burg zhvillohet shëtitja e mëngjesit, të tubuarit para burgut shpalosën parullën me fjalët “Lironi të Burgosurit Politikë”, ndërsa thirrën emrat e Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Astrit Deharit.

Këta tre aktivistë të LVV-së po mbahen në paraburgim nën dyshimet për sulmin në Kuvend të kryer më 4 gusht, ndërsa Atdhe Arifi është duke e kryer paraburgimin pikërisht në Burgun e Lipjanit.

Përveç parullës dhe thirrjes së emrave të të paraburgosurve, sipas komunikatës, deputetja e “Vetëvendosjes” Donika Kadaj-Bujupi mbajti një fjalim gjatë këtij aksioni.

Kadaj-Bujupi i quajti mendje të lira tre aktivistët e paraburgosur dhe tre të tjerët që po për sulmin në Kuvend u është caktuar arresti shtëpiak.

“Të rinj  të tjerë, studentë guximtarë, mendje të lira, po mbahen të burgosura. Sot Atdheu, Adea,  Frashëri, Petriti, Astriti, e Egzoni po persekutohen përsëri, por kësaj here nga regjimi vendas dhe po vazhdojnë të mbahen në burg dhe arrest shtëpiak në procese komplet të montuara politike”, tha Kadaj-Bujupi.

Sipas “Vetëvendosjes” janë bërë 47 ditë prejse këta aktivistë po mbahen nën masa sigurie, ndërsa ky subjekt politik zotohet se do të kërkojë parreshtur liri dhe drejtësi për gjashtë aktivistët e tij.

KALLXO.com shkroi për arrestimin e gjashtë aktivistëve të LVV-së dhe caktimin e masave të sigurisë ndaj tyre.

http://kallxo.com/gjashte-te-arrestuar-per-sulmin-ne-kuvend/

http://kallxo.com/paraburgim-dhe-arrest-shtepiak-per-sulmin-ne-kuvend/