Policia në aksion, konfiskojnë afër 7 kilogramë heroinë e mbi 3,900 euro paratë gatshme

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Policinë e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar dhe ka konfiskuar afër 7 kilogramë heroinë e afër 4 mijë euro para të gatshme.

Në njoftimin e forcave të rendit, thuhet se në një rast, është identifikuar makina e një personi të dyshuar, me të cilën një person dyshohet se trafikonte lëndë narkotike.

“Më 06.03.2024, rreth orës  19:00, në PKK-Kullë,  kanë ndaluar veturën dhe gjatë kontrollit në brendësi të veturës janë gjetur dymbëdhjetë paketime, qe dyshohet të jenë substancë narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 6314 gram (6 kg e 314 gr)” – thuhet në njoftim.

“Kurse nga i dyshuar S.T., (viti i lindjes 1949, mashkull kosovar) janë konfiskuar edhe: dy telefona mobil dhe 585 euro” – thuhet në njoftim.

Pas kontrolleve në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka sekuestruar edhe dëshmi të tjera, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale.

“Makineri për presimin e lëndëve narkotike, mikser për përzierje të substancës narkotike, 700 gr heroinë dhe dëshmi tjera. Mendohet se vlera e lëndëve narkotike të konfiskuara është rreth 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesëmijë) euro.  I dyshuari është  shoqëruar në polici, është  intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim të prokurores ndalohet deri në 48 orë” – njofton policia.

Në një rast tjetër në Prishtinë, forcat e rendit kanë arrestuar disa persona për shitblerje të narkotikëve.

“Policia ka identifikuar veturën me të cilën po lëviznin të dyshuarit të cilët, më 06.03.2024, rreth orës 16:00 në Prishtinë,  janë  ndaluar për kontroll.  Gjatë kontrollit të veturës dhe personave që ndodheshin në të është gjetur substancë që dyshohet të jetë lëndë narkotike, (17 gr kokainë, 16 gr marihuanë) dhe 2.335 euro” – thuhet në komunikatën për media.

Siç njoftojnë forcat e rendit, aksioni është koordinuar edhe me organet e drejtësisë ndërsa gjatë kontrolleve janë konfiskuar edhe sasi të tjera të narkotikëve.

“Në dy prona të të dyshuarit M.J., (viti i lindjes 1971, mashkull kosovar), ku janë gjetur dhe sekuestruar provat: dy qese (doza) me kokainë me peshë prej 2 gramëve si dhe një revole dhe një karikator me 6 fishekë” – thuhet në njoftim.

Ndërsa. gjatë operacionit policor janë arrestuar edhe: B.S., dhe A.J., gjatë realizimit të këtyre rasteve, sektori qendror i hetimeve, ka bashkëpunuar ngushtë me zyrtaret kufitar, zyrtarët e rendit, njësitin me qenë- K9 dhe faraniken” thuhet në fund të njoftimit.

Tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, kurse njëri është liruar në procedurë të rregullt.