"Vizat për burg " | Foto: KALLXO.com

Viza për Burg Grabovcit dhe Krerëve të Shtetit

Në një aksion simbolik #protestoj u “lëshoi viza” për burg Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Adem Grabovcit.

Këtë aksion, qytetarët që kanë nisur protestat pas publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike nga insajderi në gusht e shtator, protagonistë të të cilave janë Grabovci, Thaçi e Veseli, e zhvilluan për shkak të mospërmbushjes së premtimit për liberalizim vizash.

“Jemi mbledhur sot edhe njëherë që të kërkojmë përgjegjësi politike për mospërmbushjen e premtimit tuaj të moçëm për liberalizim vizash. Rinia e Kosovës sot është më e izoluara në Evropë,” tha Mrika Sefaj, përfaqësuesja e protestuesve.

Ajo duke u ndërlidhur me përgjimet tha se ato tregojnë që për të hyrë në punë duhet të njohësh politikanë të korruptuar.

“Përgjimet dhe dështimi për të liberalizuar vizat na mbytën edhe më tej shpresat se ne mund të realizojmë qëllimet tona pa pasur nevojë për njohje me politikanë të korruptuar dhe pa pasur nevojë për të thyer ligjet e vendit tonë. Mesazhi që na dërguat përmes përgjimeve është se për të gjetur një vend pune e për të ëndërruar për suksese në jetë duhet të kesh ca numra telefoni të njerëzve që lajmërohen me pronto,” tha Sefaj.

Ajo foli edhe për papunësinë në Kosovë. Tha se “përqindja jonë e papunësisë është ndër më të lartat në botë”.

Mrika Sefaj shtoi se qeveritarët po tallen me institucionet dhe nacionalitetin e qytetarëve të Kosovës.

“Unë sot jam gabele, magjupe dhe shkinë. Talleni me sistemin e drejtësisë ngase e keni ndërtuar për t’ju shërbyer për interesa personale e shkurt pa masë. Talleni me policinë e vendit ngase fëmijët tuaj mund t’i rrahin për qejfet e tekat e tyre”, shtoi ajo.

Në përgjimet e publikuara, nga protagonistët e tyre u përdorën fjalë fyese për komunitetet, ndaj të cilave reagoi në Kuvend më 1 shtator deputeti i komitetit rom Kujtim Paçaku.

Reagimi i Paçakut shtyri kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe deputetin e PDK-së Adem Grabovci të kërkojnë falje.

http://kallxo.com/deputeti-rom-reagon-ndaj-ofendimeve-nga-deputetet-e-pdk-se/

Sefaj  në fund njoftoi se protesta e radhës do të zhvillohet të martën në orën 17:00.

KALLXO.com ka ndjekur edhe protestat dhe aksionet tjera simbolike kundër aferës së përgjimeve të njohur si “pronto2”.