Rexhep Selimi: Ky Rast Është i Motivuar Politikisht

Pas Rexhep Selimit, për rastin e përleshjes mes deputetëve foli edhe i akuzuari Visar Ymeri.

Ymeri tha se ky gjykim është politik, ndërsa sipas tij janë shkelur procedurat gjyqësore. “Mbrojtjes nuk i janë dhënë provat të cilat prokuroria i ka paraqitur”, deklaroi kryetari aktual i Vetëvendosjes.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Besart Bujupi, u mbrojt në heshtje.

Seanca e sotme përfundoi, ndërsa ajo e radhës u caktua për më 21 mars, kur pritet të jepet fjala përfundimtare e palëve të këtij procesi.

15:31

Në seancën e sotme, një deklaratë e ka dhënë edhe deputeti Rexhep Selimi, i cili në këtë proces është njëri prej të akuzuarve.

Në fillim, Rexhep Selimi tha se i gjithë ky rast është i motivuar politikisht dhe si i tillë po vazhdon të mbahet aktual politikisht.

“Më lejoni që ta kundërshtoj palën akuzuese. Në këtë rast nuk ka pasur asgjë tjetër pos një konflikt verbal, ashtu siç ka qenë konflikt verbal ai mes meje dhe Latif Gashit, po aq ka qenë edhe konflikti mes meje dhe Bekim Haxhiut”, theksoi deputeti Selimi, duke shtuar se i mohon të gjitha ato që më parë i kishte thënë Bekim Haxhiu.

“Bekim Haxhiu në deklaratën e tij ka qenë i pasaktë“, tha Selimi.

Po ashtu, Rexhep Selimi tha se nga katër dëshmitarët sa u deklaruan, asnjëri nga ata nuk ishin të ngjashëm dhe “konstatoi” se “dëshmitarët ishin nën presion”.

“Në ditën dhe datën e cekur, në Kuvendin e Kosovës ka ndodhur një konflikt verbal mes meje dhe Bekim Haxhiut, si pasojë e një konflikti mes meje e Latif Gashit.

Unë as nuk e kam goditur Bekim Haxhiun, e as ai nuk më ka goditur mua”, theksoi i akuzuari Selimi.

Prokurorja i tregoi të akuzuarit Rexhep Selimi një fotografi, në të cilën shihet një rrëmujë, e deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e pyeti prokuroren se ku gjendej ai në atë foto.

14:15

Në cilësinë e dëshmitarit deklaratë ka dhënë edhe Labinot Bajraktari, polic në Divizionin e Sigurisë në Kuvend.

Për përleshjen mes Rexhep Selimit dhe Latif Gashit dëshmitari tha se nuk e ka parë, sepse nuk ka qenë prezent.

“Kur jemi lëshuar të recepsioni deputetët kanë qenë jashtë dhe dikush ka bërtitur: Policia, Policia!, dhe ne kemi reaguar mënjëherë”, tregoi dëshmitari.

“Unë kam qenë tek hyrja e deputetëve dhe pasi e kam dëgjuar thirrjen e kemi parë që deputetët kanë qenë duke u fjalosur…  Kemi vërejtur që ishin duke u shtyrë nga dera hyrëse tek dera dalëse dhe aty kanë qenë Bekim Haxhiu, Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi, e aty ka qenë edhe kapiteni ynë Enver Bimbashi”, tha dëshmitari.

Sipas tij, Florin Krasniqi ka qenë me Bekim Haxhiun duke u shtyrë. “Unë i kam vërejtur kur kanë ardhur te dera dalëse Florini dhe Bekimi dhe që të dy janë rrëzuar. Ata janë rrëzuar jashtë ndërtesës së Kuvendit”, tha ai.

Më tej, Labinot Bajraktari tha se nuk e ka parë të akuzuarin Besart Bujupin. “Rexhep Selimi nuk e di a ka qenë afër, Florini e di që ka qenë sigurt. Për Visar Ymerin nuk jam i sigurt që ka qenë aty. Unë jam afruar te Bekim Haxhiu, i cili ka qenë i rrëzuar në shpinë ndërsa Florin Krasniqi nuk më kujtohet. Unë e kam kapur për krahu deputetin Bekim Haxhiu dhe e kam futur brenda”, tha ai.

Dëshmitari mohoi të ketë parë ndonjërin nga të akuzuarit ta ketë sulmuar Bekim Haxhiun.

13:56

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë në cilësinë e dëshmitarit deklaratë ka dhënë edhe Enver Bimbashi, i cili në kohën e përleshjes mes deputetëve ka qenë shef i Njësisë së Sigurimit të objektit të Kuvendit.

“Unë kam qenë në zyrën time kur kam marr një informacion nga recepsionisti dhe kam shkuar poshtë, por nuk kam parë aq. Unë jashtë e kam parë një përleshje dhe kam shkuar me vrap. Aty ka qenë Bekim Haxhiu i shtrirë në tokë dhe Florini duke u përleshur”, ka treguar Bimbashi.

Më tej, ai tha se i ka kapur për dore Rexhep Selimin dhe Florinin, “e më pas kanë ardhur dhe kolegët e tjerë”.

Dëshmitari tha se Visar Ymerin e ka parë afër aty, edhe këmbën e Visarit, e cila ka qenë shumë afër deputetëve që kanë qenë të rrëzuar, Bekim Haxhiu e Florin krasniqi, por nuk e ka parë që Visari t’i ketë rënë Bekimit.

13:24

Në deklaratën e tij në Gjykatë, deputeti Bekim Haxhiu ka treguar për përleshjën fizike mes kolegëve deputetë Rexhep Selimi dhe Latif Gashi.

“Unë i kam parë duke u fjalosur Latif Gashin dhe Rexhep Selimin. Rexhepi e ka shtyrë Latën dhe ai e ka goditur dy herë me grusht Rexhepin dhe ai është rrëzuar në tokë”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se në atë moment kishte hyrë për t’i ndarë në mënyrë që të mos vazhdonte konflikti. “E kam larguar Latifin dhe e kam dërguar në restorantin ‘Gagi’ e pastaj jam kthyer në Kuvend”, tha ai.

Bekim Haxhiu tha se kur është kthyer e ka parë Rexhep Selimin, Visar Ymerin, Besart Bujupin dhe disa truproje të tjerë.

“Për një moment, Rexhep Selimi më ka thirrë në pseudonim dhe ka filluar të ecë dy hapa në drejtim timin. Unë jam kthyer në drejtim të tij dhe për një moment ai ka filluar të jetë agresiv me ton, e pastaj ka provuar të më godet në fytyrë. Më ka goditur rrëshqitazi papritur në mjekër. Unë jam kundërpërgjigjur me grushtin e djathtë në fytyrë, mes qafës dhe mjekrës. Dhe në këtë moment nga prapa jam sulmuar nga Besart Bujupi”, ka thënë më tej në deklaratën e tij Haxhiu.

“Mua më kanë sulmuar diku rreth gjashtë persona. Më ka sulmuar edhe një djalë i zeshkët, mendoj se ishte truproja e tij”, tha ai.

Më është hedhur në shpinë Florin Krasniqi dhe bashkë me të jemi hedhur në tokë. Deri sa kemi ra në tokë, unë e kam shti përfundi Florinin”, tha deputeti Haxhiu duke folur për përleshjen mes deputetëve të VV-së dhe atyre të PDK-së në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë rast, tha deputeti i njohur me nofkën “Kamishi”, unë vetëm jam mbrojtur.

Ndërsa, incidentin tha se e konsideron si një tentim vrasje.

Pas këtij rasti, Haxhiu tregoi se është kthyer në Kuvend, ku ka vazhduar seanca dhe se më pas kishte shkuar në shtëpi, ku kishin ardhur kushërinjtë, vëllezërit dhe bashkëluftëtarët, të cilët i kishte qetësuar dhe pasi që ata janë larguar nga shtëpia e tij kishte shkuar te mjeku.

Ndërsa tha se e ka konsideruar Rexhep Selimin për shok, Haxhiu tha se Selimi mllefin që e ka pasur ndaj Latif Gashit e ka shprehur ndaj meje në mënyrë pabesie dhe të organizuar.

12:01

Bimbashi ishte shef i Njësisë për Sigurimin e Objektit të Kuvendit, ndërsa tash punon në Drejtorinë e Policisë.

11:30

Bekim Haxhiu është duke folur në gjykatë se si ka ndodhur sulmi ndaj tij. Pasi deputeti Bekim Haxhiu përshkroi se si ka ndodhur përleshja mes deputetëve, Visar Ymeri e Rexhep Selimi po i shtrojnë atij pyetje për këtë gjë.

10:40

Prokurorja e lexoi aktakuzën, ndërsa seanca filloi pas ardhjes së deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu.

kamishi

10:28

Deputetët e këtij subjekti Visar Ymeri, Rexhep Selimi, ish-deputeti Florin Krasniqi dhe shoferi Besart Bujupi akuzohen për fjalosje dhe sulm ndaj deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Kjo gjë sipas prokurorisë kishte ndodhur më 28 qershor 2012 gjatë një pauze pas një debati në Kuvendin e Kosovës. Procedura ndaj Florin Krasniqit është veçuar.

ymeri

Deri tash 15 seanca të këtij gjykimi janë anuluar, ngase kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri nuk ka marrë pjesë në gjykim.

Gjyqtari Vesel Ismajli në seancën e kaluar më 18 shkurt kishte paralajmëruar arrestimin e Visar Ymerit.

http://kallxo.com/gjykata-paralajmeron-arrestimin-e-visar-ymerit/

Lajmin e arrestimit dhe dërgimit të Visar Ymerit në gjykatë e ka bërë të ditur edhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Arsyet e kësaj përndjekje mesjetare janë tërësisht politike, duke qenë se për gjashtë muaj me radhë Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të bllokojë marrëveshjet e dëmshme për vendin, atë për ‘zajednicën’ dhe ‘demarkacionin’,” thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes”. [interaction id=”56d6b3c44ab46a01035e30b0″]