VIDEO - LDK dhe aleatët nuk i vijnë opozitës në seancën për raportin e auditorit

Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Lipjanit kanë thirrur për sot seancë të jashtëzakonshme për të debatuar për Raportin e Auditorit për Komunën e Lipjanit për vitin 2017.

Por, kjo mbledhje ka dështuar në mungesë të kuorumit, pasi në seancë morën pjesë vetëm 14 asamblistë të opozitës dhe munguan asamblistët e koalicionit që janë në pozitë.

Menjëherë pas dështimit të mbledhjes së jashtëzakonshme, opozita në një konferencë për media, ka kritikuar kryetarin Ahmeti për mospjesëmarrje dhe për mos llogaridhënie.

Egzona Fazliu, nga opozita, tha se shkaku i këtij injorimi do të detyrohen që t’i drejtohen organeve të drejtësisë.

“Meqenëse kryetari dhe opozita nuk ke prezent, kjo e dëshmon edhe një herë mos llogaridhënien e kryetarit ndaj qytetarëve dhe ndaj neve si asamblistë të kësaj komune. Mbajtja e kësaj seance do t’i kontribuonte llogaridhënies të kryetarit. Meqenëse kryetari e ka injoruar kuvendin, neve na detyron që t’i drejtohemi organeve të drejtësisë dhe me marrë llogari prej kryetarit”, tha Fazliu.

Edhe Argjent Tasholli, tha se janë në përgatitje të një kallëzimi penal ndaj ekzekutivit dhe u ka bërë thirrje asamblistëve që mos të frikësohen për të marrë pjesë në seancë.

“Unë e kam një porosi për asamblistët e pozitës: Politika nuk është për frikacakë, nuk është mu frikësu prej askujt, në mbledhjet e tjera presim që të marrin pjesë edhe ata t’i diskutojmë gjerat që janë të dëmshme për qytetarët t’i çojmë proceset përpara që janë të mira për qytetarët lipjanas”, tha ai.

E kryetari i Komunës së Lipjanit, tha për KALLXO.com, se Raporti i Auditorit nuk ka as një muaj që ka ardhur dhe se secila organizatë buxhetore e kohën e lejuar ligjore për të bërë komentet për të gjeturat e auditorit.

Sipas Ahmetit, Komuna e Lipjanit është ndër tri autoritetet buxhetore në nivel vendi që e ka marrë opinionin e pamodifikuar ose kualifikimin më të lartë.

Ahmeti shtoi se nuk brengoset për fjalët e opozitës pasi sipas tij ata dëshirojnë të bëjnë tema që nuk janë të qëndrueshme.

“Fatkeqësia që vetë ata delegatë e kanë aprovu planin e punës të asamblesë komunale dhe në plan të punës është në korrik. Rend dite do të jetë në korrik. E kanë ditë që do te jetë në korrik. Por si duket kanë pasë dëshirë me ba një temë për të dalë sado pak në skenë. Ose kanë menduar që kanë me marrë mëditje po s’kanë mëditje”, tha Ahmeti.

Sa i përket kallëzimit penal, Ahmeti tha se janë të zakonshme dhe “një-përdorimëshe” kallëzimet penale të opozitës.

Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Komunës së Lipjanit, Daut Azemi tha për KALLXO.com se në planin e punës të kuvendit që kuvendi e ka aprovuar kjo pikë është paraparë të jetë në seancën e muajit korrik.

Prandaj sipas tij të gjithë anëtarët e koalicionit e kanë parë të paarsyeshme që të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

“Në takimin e grupit LDK, AKR, PD dhe PAI të gjithë anëtarët e kuvendit e kanë parë të paarsyeshme me marr pjesë në këtë seancë duke e marrë parasysh që kjo pikë e rendit të ditës është paraparë të mbahet në seancën e rregullt të muajit korrik. Ata kanë konsideru që ky hap i opozitës ka qenë i ngutshëm dhe i pa llogaritur mirë”, tha Azemi.

Sipas Vendimit të planit të punës së Kuvendit Komunal të Komunës së Lipjanit për vitin 2018 të siguruar nga KALLXO.com, Shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Komunën për vitin 2017, është paraparë të mbahet në seancën e rregullt të muajit korrik 2018.