Foto: Kallxo.com

VIDEO - Inspektorët vëzhgojnë vendosjen e flamujve afër produkteve ushqimore

Në shumë ngjarje ndërkombëtare, prania apo mosprania e njërit shkakton reagimin me nervozë të tjetrit.

Por në marketin ‘Viva Fresh’ në lagjen “Mati 1”, flamuri i Kosovës dhe ai i Serbisë qëndrojnë krah njëri- tjetrit, në të njëjtin raft.

Vendosja e tyre, në bazë të origjinës së produktit që shitet është bërë e obligueshme për shitësit.

Në rast të mospërfilljes së vendimit, inspektorët janë aty për ta bërë punën e tyre.

Njëjtë ndodhi të hënën kur inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e nisën javën e punës duke inspektuar markete e dyqane ushqimore nëpër Prishtinë.

Gjatë ditës së sotme, inspektorët kontrolluan edhe në marketin Meridian, edhe ky në lagjen “Mati 1”. Në këtë market, inspektorët nuk hasën në probleme të mëdha pasi që, sipas tyre, marketi ka përfillur udhëzimet dhe ka vendosur flamujt.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, kishte nënshkruar Udhëzimin Administrativ që urdhëron marketet të vendosin flamuj sipas origjinës së produktit.

Vendimi filloi të aplikohet që nga 1 janari.

Ky vendim erdhi pak pasi qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 % ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si reagim ndaj një fushate të ashpër diplomatike të Serbisë kundër aplikacionit të Kosovës në Interpol dhe qëndrimit mbështetës të Bosnjës ndaj politikës së Beogradit.

Një hulumtim në tregun e Kosovës nga ekipi i ‘Jeta në Kosovë’ ka treguar se ende nuk ka mbaruar shenjëzimi i produkteve me flamujt e tyre.

E në anën tjetër, inspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka dalë në terren për të shikuar nëse dyqanet e marketet po aplikojnë vendimin e Ministrit Shala.

“Ky nen i ligjit, ka hyrë për herë të parë në Kosovë dhe ka filluar të batohet nga të gjitha bizneset, edhe pse jo tërësisht por ngadalë- ngadalë po hyn në funksion. Është më problematike seç duket, po kanë probleme me vendosjen e tyre. Ne po jemi në terren  gati përditë për me ju dhanë sqarime se cilat janë veprimet që duhet të merren”, thotë një inspektor.

Inspektorët tregojnë se vazhdimisht po qëndrojnë në terren, për të vëzhguar marketet në lidhje me vendosjen e flamujve.

Gjithashtu, sipas inspektorëve, vendosja e flamujve është një veprim i mirë për konsumatorët, pasi që këta të fundit do të jenë në dijeni në lidhje me produktet që blejnë.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me fotografitë dhe raportimet e qytetarëve për mos aplikimin  e udhëzimit nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Emisioni “Jeta në Kosovë” raportoi për mos respektimin nga marketet të Udhëzimit Administrativ që kërkon vendosjen e flamujve sipas origjinës së produktit nëpër markete.

Komuna të ndryshme pas raportimit të “Jeta në Kosovë” kanë reflektuar dhe kanë urdhëruar bizneset afariste në këtë komunë që të vendosin këta flamuj.