Vetëvendosje: Abuzimi i 16-vjeçares në Drenas, akt i patolerueshëm

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për rastin e abuzimit të pretenduar të 16 vjeçares në Drenas, fillimisht nga mësuesi e pastaj edhe nga zyrtari policor.

Vetëvendosje thotë se veprimi i mësimdhënësit dhe policit tregojnë qartë se ku jemi si shtet.

Po ashtu, VV përmes komunikatës ka treguar se mbështesin protestën e nesërme para Policisë së Kosovës si dhe atë të ditës së premte në Drenas.

“Në shoqërinë tonë hetime zhvillohen në formë aktive vetëm kur është fjala për persekutime politike. Në rastet e ngacmimit, dhunimit dhe shfrytëzimit të gruas sa më të hetueshme që janë rastet aq pa hetuar mbesin. Denoncuesit përqeshen, madje deri në pikën sa hetuesi vetë, polici, gjen hapësirën për t’u shndërruar në dhunues dhe shfrytëzues – sikur në rastin e mbrëmshëm ku u kuptua që për një vit të tërë u shfrytëzua seksualisht një e mitur 16 vjeçare nga Drenasi”, thuhet në reagim.

“Për çfarë shteti mund të flasim, kur policët që zënë me drogë djalin e shefit të AKI-së suspendohen, ndërsa policët që dhunojnë dhe shfrytëzojnë seksualisht të miturën dekorohen? Iu bëjmë thirrje organeve të drejtësisë, të merren seriozisht me rastin, në mënyrë që kjo tragjedi të mos ndiqet nga skandali i lirimit të dhunuesit në fjalë, siç edhe ndodh zakonisht. Rastet e tilla janë të shpeshta, ku me raportimin bëhet shaka. Kjo gjendje është e patolerueshme më. Përçmimi që institucionet shtetërore i bëjnë rasteve të raportuara të dhunimit është po aq i rëndë sa vetë dhunimi”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.