Shpend Ahmeti dhe Sami Kurteshi - Foto: Vetëvendosje

Vetëm Qytetarët Mund ta Ndalin Kapjen e Shtetit

Në një konferencë për media, Shpend Ahmeti tha se VV gjithnjë ka shprehur shqetësimin e saj për kapjen e shtetit, kriminalizimin e institucioneve dhe përzierjen e pushteteve.

“Sa herë që të flasim ne si Lëvizje për kapjen e shtetit dhe kriminalizimin e institucioneve, vazhdimisht marrim përgjigje nga pushteti se ne nuk i respektojmë institucionet. Por në fakt, jemi ne ata që po përpiqemi t’i shpëtojmë ato, pikërisht nga ky klan njerëzish”, tha Ahmeti.

Më tej ai përmendi disa raste nga përgjimet e fundit të publikuara nga ‘Insajderi’, të cilat sipas tij tregojnë më së miri kapjen e shtetit.

“Në qoftë se në një universitet vendoset një njeri që nuk e di pse është vendosur, nëse në një bord zgjedhet dikush që nuk ka lidhje me funksionimin e atij bordi, atëherë duhet ta kuptoni se këto janë arsyet bazike pse Kosova është kështu siç është sot”, shtoi Shpend Ahmeti.

Shpend Ahmeti theksoi se edhe me punën në Komunë të Prishtinës kanë vërejtur këtë kapje të institucioneve të drejtësisë, duke treguar rastin e padisë për ndërmarrjen “Pastrimi”, rast ky që u fitua në Gjykatë Themelore dy herë, por u refuzua nga Gjykata e Apelit, ku tashmë është e dokumentuar se janë instaluar njerëz të pushtetit.

Në fund të fjalës së tij Ahmeti tha se sot e kësaj dite nuk kemi asnjë reagim nga ambasadorët, veçanërisht nga ambasadorët e Kuintit, që në vazhdimësi flasin për ruajtjen e demokracisë, për stopimin e korrupsionit dhe drejtësinë si dhe për heshtjen e LDK’së, e cila po frikësohet të jap deklarata rreth përgjimeve për shkak të dosjeve të Isa Mustafës në prokurori.

Në anën tjetër, Sami Kurteshi e quajti sistemin e drejtësisë të kapur e të kalbur.

“Numri i lëndëve nëpër gjykata nuk po shkon duke u zvogëluar, por duke u rritë. Sepse shumë lëndë nuk procedohen fare. Këtu kemi një sistem të kalbur”, tha Kurteshi.

Ai e quajti lojë fjalësh deklarimin e vazhdueshëm se si në Kosovë ka ndarje të qartë mes pushteteve, pasi që janë qeveritarët që po kontrollojnë edhe legjislativin, edhe gjyqësorin.

Tutje, Kurteshi tha se njerëzit në vendin tonë përveç se po e humbin besimin dhe shpresën për drejtësinë institucionale, kanë filluar ta humbin besimin dhe shpresën edhe në drejtësinë shoqërore, gjë që ai e quajti tragjike për Kosovën.

“Sa herë që e kemi kritikuar apo akuzuar këtë sistem, na kanë thënë vazhdimisht ‘drejtohuni në Prokurori’, por kjo ishte një ftesë cinike sepse po shihet se kush është sot në krye të këtyre institucioneve të drejtësisë”, deklaroi Kurteshi.

Në fund të konferencës, Kurteshi ritheksoi se gjyqësori është në gjendjen më të rëndë, dhe për këtë konstatoi se zgjidhja për këtë vjen nga veprimi i ndërgjegjshëm politik. Dhe për këtë, Kurteshi tha se Vetëvendosje është ajo që në vazhdimësi ka luftuar për ndërgjegjësimin e politikës, si dhe fare në fund, ai bëri ftesë për secilin qytetar që t’i bashkëngjitet veprimit për kthimin e dinjitetit njerëzor.