Kontributi familjar në pasurinë e përbashkët - Foto: KALLXO.com

Vetëm 35 nga 1 mijë e 304 gratë e pushtetarëve kanë pronë

Hulumtimi i fundit i BIRN-it tregon se vetëm 35 nga 1.304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Nga gjetjet e këtij hulumtimi ka rezultuar se nga 362 gjykatës të gjykatave të vendit, vetëm 5 prej tyre të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Hulumtimi i BIRN-it ka pasqyruar në opinion se përveç gjykatësve prej të cilëve një numër jashtëzakonisht i vogël kanë deklaruar se posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte, asnjë kryetar (burrë) i gjykatave të vendit nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

https://kallxo.com/vetem-nje-gjykates-i-supremes-ka-prone-te-perbashket-me-bashkeshorte/

Përfshirë këtu edhe kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Pecin i cili ka deklaruar se nuk posedon ndonjë pronë të regjistruar bashkërisht me bashkëshorte.

Njëjtë kanë deklaruar edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, si dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Për dallim nga kryetarët e gjykatave, dy kryeprokurorë të prokurorive të vendit kanë deklaruar se posedojnë prona të regjistruara në emër të përbashkët me gratë e tyre.

Por, në mesin e këtyre dy kryeprokurorëve nuk bën pjesë edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili për KALLXO.com ka deklaruar se nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

E nga 121 deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ata të cilët i janë përgjigjur pyetjeve tona, kemi kuptuar se vetëm 13 deputetë posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Nga të dhënat që posedojmë për ministrat e Qeverisë, nga përgjigjet që kemi pranuar ka rezultuar se vetëm 2 prej tyre posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Pjesë e hulumtimit tonë ka qenë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në emisionin Jeta në Kosovë ka deklaruar se posedon një pronë të cilën e ka regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Kurse nga 80 zëvendësministra të Qeverisë të kontaktuar nga KALLXO.com rezulton se vetëm 4 prej tyre posedojnë pronë të përbashkët me bashkëshorte.

Sa i përket hulumtimit për kryetarët e komunave, nga 16 përgjigje që kemi pranuar, vetëm 4 prej tyre kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me gratë e tyre.

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

BIRN-i i ka kontaktuar edhe drejtorët e rajoneve policore nga të cilët vetëm një drejtor ka deklaruar se posedon pronë të regjistruar bashkërisht me bashkëshorte.

Në kuadër të projektit për avancimin e të drejtave pronësore, BIRN-i që nga muaji qershor i vitit të kaluar është duke e realizuar këtë hulumtim në lidhje me regjistrimin e pronave të zyrtarëve të lartë, që mbajnë poste të rëndësishme.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ nr.08/2018 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Në bazë të këtij Udhëzimi, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Në përkrahje të kësaj iniciative BIRN ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtarë të lartë të vendit për të parë nëse janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por, gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se as 5% e këtyre zyrtarëve të lartë nuk janë duke e respektuar këtë Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Bëjmë të ditur se zyrtarët e lartpërmendur janë kontaktuar nga BIRN-i përmes zyrtarëve për informim të institucioneve përkatëse, të cilët kanë deklaruar se i kanë pranuar pyetjet tona dhe të njëjtat ua kanë përcjellë zyrtarëve por përkundër kërkesave tona të përsëritura disa herë, vetëm një numër jashtëzakonisht i vogël i tyre janë përgjigjur.

Pyetja që BIRN-i u ka adresuar zyrtarëve ka qenë që të njëjtit të deklarojnë nëse posedojnë ndonjë pronë (pronë të paluajtshme), të krijuar gjatë jetës bashkëshortore të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten/bashkëshortin.

Arsyetimi i zyrtarëve për mosregjistrimin e pronës në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre ka qenë se ata kanë deklaruar se nuk posedojnë pronë të regjistruar as në emër të tyre.

https://kallxo.com/heshtja-zyrtare-per-regjistrimin-e-prones/

Ligji për Familjen i Kosovës si pasuri të veçantë të bashkëshortëve parasheh pasurinë e cila i ka takuar bashkëshortit në çastin e lidhjes së martesës, e cila do të mbetet pasuri e veçantë e tij.
Pasuria e veçantë është gjithashtu edhe pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë forme tjetër ligjore të fitimit të pasurisë.

Në bazë të këtij ligji si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve konsiderohet pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.

Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët.