Foto-ilustrim

Asnjë kryetar i Gjykatave të Kosovës nuk posedon pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte

Asnjë kryetar (burrë) i Gjykatave të Kosovës nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Në kuadër të projektit për avancimin e të drejtave pronësore, BIRN-i që nga muaji qershor i vitit të kaluar është duke e realizuar një hulumtim në lidhje me regjistrimin e pronave të zyrtareve të lartë, që mbajnë poste të rëndësishme në vendin tonë.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ NR.08/2018 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshorteve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Në bazë të këtij udhëzimi, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Në përkrahje të kësaj iniciative BIRN-i ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtarë të lartë në vendin tonë për të parë nëse këta zyrtar janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se vetëm 5% e këtyre zyrtareve të lartë janë duke e respektuar këtë udhëzimin administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Pjesë e këtij hulumtimi kanë qenë edhe zyrtaret e sistemit gjyqësor të Kosovës.

BIRN-i përmes zyrtareve për informim u ka dërguar pyetje të gjithë kryetareve të Gjykatave dhe gjykatësve nga të cilat ka kërkuar të dijë nëse posedojnë ndonjë pronë (pronë të paluajtshme), të krijuar gjatë jetës bashkëshortore të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten/bashkëshortin.

Por kërkesës së BIRN-it i janë përgjigjur një numër jashtëzakonisht i vogël i gjykatësve.

Mirëpo pas këmbënguljes , BIRN ka arritur të marrë përgjigje vetëm nga kryetarët e Gjykatave të vendit tonë.

E nga përgjigjet që kemi marrë ka rezultuar se asnjë kryetar (burrë) i Gjykatave të Kosovës nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Arsyetimi i shumicës së kryetarëve të Gjykatave ka qenë se shkaku pse nuk kanë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre është se nuk posedojnë pronë të regjistruar as në emër të tyre.

Ndërsa kryetari i Gjykatës së Ferizajt, Bashkim Hyseni është shprehur se posedon një pronë të cilën me kontratë e ka të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij por që pronën ende nuk e ka të regjistruar pranë drejtorisë për kadastër dhe pronë.

E vetmja është kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi e cila sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, rezulton se posedon pronë të paluajtshme të trashëguar nga familjarët e saj e po ashtu e njëjta posedon edhe një shtëpi në emër të përbashkët me bashkëshortin dhe po ashtu një banesë në emër të saj.

Kurse kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi për KALLXO.com ka deklaruar se momentalisht nuk posedon asnjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të saj, pasi që ka thënë se e gjithë pasuria e trashëguar nga prindërit e saj ende është në emër të prindit të saj.

Ligji për Familjen i Kosovës si pasuri të veçantë të bashkëshortëve parasheh pasurinë e cila i ka takuar bashkëshortit në çastin e lidhjes së martesës e cila do të mbetet pasuri e veçantë e tij.
Pasuria e veçantë është gjithashtu edhe pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë forme tjetër ligjore të fitimit të pasurisë.

Në bazë të këtij ligji si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve konsiderohet pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.
Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët.

Hulumtimi i BIRN-it tregon edhe për numrin jashtëzakonisht të vogël të kryetareve të komunave të cilët posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

06 Prill 2019 - 14:03

Blerta Iberdemaj 06/04/2019 - 14:03
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Asnjë kryetar i Gjykatave të Kosovës nuk posedon pronë në emër të përbashkët me bashkëshorte

by Blerta Iberdemaj
NA NDIQNI

Send this to a friend