Arkiv: Marshi i grave në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Gratë në festë pa pronë dhe fuqi vendimarrëse

“Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, -kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon për pajë as për kurrnji send për vajzë të vet; qi e xen do t’i a baje kujdesin.

Prindja e djalit, qi e xun vajzen do të mendojnë për gjith shka duhet për martesë të saj”, thuhet në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Nëpërmes këtyre normave dhe dokeve zakonore shqiptare, trajtoheshin dhe rregulloheshin çështjet nga marrëdhëniet familjare përgjatë shekujve në viset shqiptare.

Kanuni i Lekë Dukagjinit ka trajtuar marrëdhëniet familjare me karakter juridiko-civil për vite me radhë.

Por a po ndikojnë ndjeshëm edhe në këtë kohë këto rregulla dhe norma të këtij Kanuni ?

Kanë kaluar me dhjetëra e dhjetëra vite që nga koha e Kanunit të Lekë Dukagjinit por përkundër viteve gjërat nuk mund të themi se kanë ndryshuar shumë.
E drejta në trashëgimi është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si akti më i lartë në vend si dhe me Ligjin për Trashëgiminë.
Ndonëse jemi në shekullin e njëzet e një (21) edhe në ditët e sotme pothuajse çdo ditë përballemi me normat zakonore të lëna pas nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Ky kanun ka qenë i rrënjosur thellë në traditën shqiptare duke lënë pasoja edhe për shumë e shumë gjenerata të ardhshme.
Aktualisht në vendin tonë sipas raporteve nga organizata të ndryshme jo qeveritare del se numri i grave të cilat trashëgojnë pronë është vetëm 4 për qind, një shifër kjo jashtëzakonisht shqetësuese për kohën në të cilën jetojmë.
Shifra po aq alarmuese tregojnë edhe hulumtimet rreth grave të cilat posedojnë prona të paluajtshme të regjistruara në emër të tyre, pasi që sipas raporteve të fundit rezulton se vetëm 17 për qind e grave posedojnë ndonjë pronë të pa luajtshme të regjistruar në emër të tyre.

Përkundër fushatave të ndryshme vetëdijësuese dhe iniciativave të ndryshme nga institucionet shtetërore, organizatat jo qeveritare si vendase ashtu edhe të huaja si duket është shumë e vështirë të zbehët ndikimi i Kanunit në traditën shqiptare.

Edhe pse vetë zyrtaret e lartë të cilët mbajnë poste të rëndësishme në institucionet e Republikës së Kosovës shpesh herë kanë qenë pjesë e fushatave të ndryshme të cilat kanë pasur për bazë vetëdijësimin e opinionit lidhur me të drejtat e barabarta të grave në pronë si duket ata janë të parët të cilët nuk janë duke i respektuar këto dispozita ligjore.

Hulumtimi i fundit i BIRN-it tregon për numrin jashtëzakonisht të vogël të kryetareve të komunave të cilët posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Vetëm 4 gra të kryetarëve të komunave kanë pronë


Nga hulumtim i BIRN-it ka rezultuar se nga 31 kryetarë të 31 Komunave në Republikën e Kosovës të kontaktuar nga organizata jonë, prej 16 nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm 4 kryetarë kanë pronë të pa luajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Edhe pse shumë shpesh i kemi parë duke dhënë premtime publike lidhur me regjistrimin e pronës në emër të përbashkët me bashkëshortet ashtu edhe për mundësitë e barabarta të përfaqësimit gjinor si duket kryetarët e komunave shumë shpejtë i kanë harruar zotimet e tyre për të drejta të barabarta gjinore në pronë si dhe respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore.

Përkundër faktit se kryetaret e komunave i kanë harruar zotimet e tyre, BIRN-i nuk ka harruar që premtimet e kryetareve të komunave ti masë me produktin e KALLXO.com për vërtetësinë e deklaratave publike, Krypometrin.

Pas krahasimit të këtyre deklaratave publike po rezulton se zyrtaret e lartë ndryshe po premtojnë e ndryshe po veprojnë.
Muaj më parë BIRN paraqiti edhe një hulumtim tjetër i cili ka të bëjë me përfaqësimi gjinor të grave në nivel lokal.

Hulumtimi i BRIN-it tregon se më pak se 20 për qind e drejtorive komunale në Kosovë udhëhiqen nga gratë

Megjithëse ligji e thekson se duhet të respektohet kuota 50 për qind, aktualisht në vendin tonë më pak se 20 për qind e drejtorive komunale në Kosovë udhëhiqen nga gratë.
Në kuadër të kësaj iniciative, në serinë e debateve komunale të emisionit televiziv “Jeta në Kosovë” – “Debat Pernime” në dy raundet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit dhe 19 nëntorit të vitit të kaluar, kandidatëve për kryetar komune u ishte bërë pyetja se sa do të jetë përfaqësimi gjinor në ekipet e tyre qeverisëse.

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë


Disa muaj pas dhënies së këtyre premtimeve, Krypometri ka treguar nëse të njëjtit i kanë mbajtur premtimet që i kanë dhënë gjatë fushatave zgjedhore.
Nga rezultatet e hulumtimit mund të vërehet qartë se kryetaret e komunave janë të parët në dhënie e zotimeve/premtimeve por kur vije puna te realizimi i tyre lënë shumë për të dëshiruar.
Nga hulumtimi i BIRN rezulton se nga 292 drejtori në 27 komuna për të cilat kemi marrë informata, vetëm 58 drejtori janë të udhëhequra nga gratë.
Pra vetëm 19.86% nga 292 drejtori në 27 komuna të Kosovës udhëhiqen nga gratë.

Hulumtimi vë në pah se vetëm dy komuna të Republikës së Kosovës aktualisht janë duke e respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.
Në gjendje hiq më të mirë nuk janë as gratë e gjykatësve, personave të cilat janë të thirrur të ndajnë drejtësi në vend.

Nga hulumtimi rreth gjykatësve ka rezultuar se asnjë gjykatës i Gjykatës Supreme nuk e ka pronën e paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Asnjë gjyqtar i Gjykatës Supreme nuk ka pronë të përbashkët me grua

Nga 16 gjykatës të Gjykatës Supreme të kontaktuar nga BIRN, përfshirë këtu edhe kryetarin e Gjykatës, prej 11 nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm 2 gjykatëse(gra), kanë thënë se posedojnë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortët dhe asnjë gjykatës (burrë) i Gjykatës Supreme nuk e ka pronën e paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

BIRN-i kohë pas kohe ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tonë, siç janë ministra e prokurorë por si duket këta zyrtarë në vend të përgjigjes kanë vendosur “heshtje zyrtare” sa i përket kësaj teme.
E këta gjykatës të cilët për vete nuk kanë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre, vështirë mund të thuhet se mund të bashkëndjejnë njëlloj me gratë të cilat po i kërkojnë të drejtat e tyre në pronë, të drejta këto të garantuara me dispozita ligjore.
Një prej rasteve me të mëdha me bujë në vendin tonë është rasti i Shyhrete Berishës.
Beteja e saj ligjore për të fituar atë që i takon filloi qysh në vitin 2001 ndërsa tek pas 11 vitesh ajo më në fund pas shumë e shumë peripecish arriti të fitoj atë që i takon me ligj.
Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.
Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.
Shyhrete Berisha ka akuzuar kunatin e saj (vëllain e burrit të vrarë) Xhelal Berisha se ia ka marrë të drejtat që i takojnë me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Trashëgiminë, raportuar edhe nga KALLXO.com. Kunati i saj ka pretenduar se ai është trashëgimtar i shtëpisë ku znj. Berisha ka jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët e saj për shkak se ajo nuk ka qenë e ndarë paraprakisht mes trashëgimtarëve të babait të burrit të znj. Berisha
Ajo po ashtu kishte kërkuar që t’i jepet e drejta bazuar edhe në kontributin që ajo ka dhënë gjatë jetesës së saj në atë shtëpi deri në vitin 1999 me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Gjysma e Pronës Dhe Gjysma e Shtëpisë i Takojnë Shyhrete Berishës


Ky rast është parë nga mediet dhe shoqëria civile si një precendet në drejtësinë Kosovare për sa i përket të drejtave të grave në trashëgim të pronës në lidhje martesore.

Më në fund në korrik të vitit 2017 Gjykata kishte marrë aktgjykim me anë të të cilit është vërtetuar se Shyhrete Berisha është pronare e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe po ashtu pronare e gjysmës së paluejtshmërisë së pronës.
Të drejtën e pronësisë, Shyhrete Berisha e fitoi në bazë të trashëgimisë ligjore, sipas përfaqësimit pas vdekjes së bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.
Ngjashëm me këtë rast ka qenë edhe rasti i Shukrie Berishës, e cila paditi kunatin e saj në vitin 2005 pasi ai e kishte kaluar tërë pronën e trashëguar nga babai në emrin e tij. Kështu ai kishte anashkaluar Shukrie Berishën e cila kishte jetuar 30 vjet në shtëpinë e përmendur me burrin e saj që kishte ndërruar jetë para se të bëhej ndarja e pronës mes trashëgimtarëve. Ajo pretendonte se ka të drejtë ta trashëgojë një pjesë të shtëpisë. Pas 11 vitesh, aq sa është dashur që gjykimi të marrë formën e prerë, asaj i është ndarë 1/10 e oborrit dhe 1/6 e shtëpisë ku ajo ka kontribuar 30 vjet sa ka jetuar në të me burrin e saj.

12 Vjet në Kërkim të Drejtësisë për Shtëpinë


BIRN si organizatë vazhdimisht është duke monitoruar rastet gjyqësore të grave që kërkojnë të drejtën në pronë, raste të cilat më pas po pasqyrohen edhe me emisione me qëllim të sensibilizimit të masës për problemet në të cilat hasin gratë për realizimin e të drejtës së tyre në pronë.
Së fundmi KALLXO.com ka raportuar edhe për shumë e shumë gra të tjera të cilat janë duke u përballur me ish bashkëshortet e tyre në Gjykatat e vendit për të kërkuar të drejtën e tyre në pronë.
Por deri kur do tu duhet grave të ënden korridoreve të Gjykatave për vite e vite me radhë vetëm e vetëm për të fituar atë që tashmë u takon me ligj?
Nga gjendja faktike vijmë në përfundim se përkundër iniciativave e fushatave vetëdijësuese duhet ende vetëdijesim sa i përket kësaj çështje e kjo duke filluar së pari nga zyrtaret e lartë e deri tek qytetarët e thjeshtë.

Përfshirja në vendimmarrje

Pozitat kyçe në partitë politike të vendit vazhdojnë të drejtohen nga burrat ndërsa numri i grave të punësuara në institucionet publike të vendit është në disproporcion me numrin e burrave të punësuar.
Një hulumtim i BIRN-it zbardh se partitë politike të Kosovës nuk zbatojnë kuota gjinore në drejtimin e strukturave partiake.
Degët e LDK-së nuk udhëhiqen nga gratë ndërsa vetëm dy degë të PDK-ë drejtohen nga gratë. Kurse, në AAK të gjitha degët udhëhiqen nga burrat.
PDK është ndër partitë e vetme që ka gra që udhëheqin degë të partisë. Nga 38 degët e partisë dy udhëhiqen nga gratë.Nga 184 anëtarë në Këshillin Drejtues të partisë, 39 janë gra, në kryesi nga 50 anëtarët e kryesisë – 13 janë gra.
Në LDK, nga 38 degët e partisë asnjëra nuk drejtohet nga gratë ndërsa vetëm 4 gra janë anëtare në kryesinë prej 23 anëtarësh. Në forumin tjetër, Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së nga 117 anëtarët vetëm 24 janë gra.
Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë ofruar shifra për numrin e degëve që drejtohen nga gratë.

Aleanca e Ramush Haradinajt po ashtu vazhdon të qeveriset nga burrat.
Kryesia e partisë është e përbërë nga 48 burra dhe vetëm 12 gra ndërsa Këshilli drejtues ka 24 gra dhe 93 burra. Në shtrirjen e saj lokale në komuna, AAK nuk i ka besuar asnjë dege të qeveriset nga gratë.
Pabarazia e grave në shifra shihet edhe në punësimin e tyre në institucionet publike.
Hulumtimi zbardh se presidenca e vendit ka të punësuar 76 persona, prej të cilëve 54 janë burra dhe 22 gra.
Në agjencinë për barazi gjinore të dhënat tregojnë se gratë janë më pak të punësuara në nivelin qendror të administratës, ku punojnë 6 mijë burra më shumë. Aty nga 28 mijë e 557 të punësuarit vetëm 11 mijë e 14 gra janë të punësuara.
Shifrat janë të pabarabarta edhe në nivelin lokal ku nga 43 mijë e 571 të punësuarit vetëm 19 247 janë gra.

ETIKETA

07 Mars 2019 - 23:31

Blerta Iberdemaj 07/03/2019 - 23:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend