Veseli paralajmëron ngritje të pagave në shëndetësi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi ka thënë se mjeket dhe i gjithë stafi shëndetësor nga viti i ardhshëm do të marrin pagën me rritje.

Veseli gjatë diskutimit me drejtuesit e Sindikatës së Shëndetësisë, ka thënë se me Ligjin për Buxhetin 2019, do të përfshihet kjo rritje, por që sipas tij, do të përfshijë edhe investime tjera në sektorin e shëndetësisë.

“Mjekët dhe i gjithë stafi shëndetësor nga viti i ardhshëm do ta marrin pagën me rritje. Gjatë diskutimit që pata sot me drejtuesit e Sindikatës së Shëndetësisë, konfirmova se me një pako fiskale dhe Ligjin për Buxhetin 2019, do të përfshihet kjo rritje, por edhe investime të tjera që transformojnë gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Po ashtu, do t’i përgjigjemi një shqetësimi të infermierëve të ngritur nga kjo sindikatë. Shëndetësinë e kemi prioritet. Dua ta përgëzoj Ministrin Uran Ismaili dhe gjithë stafin shëndetësor për punën që kanë bërë dhe po bëjnë në kthimin e besimit të qytetarëve tanë në shërbimet publike shëndetësore”, ka shkruar Veseli në rrjetin social ‘ Facebook’