Veseli në Berlin, Takon edhe Kancelaren Merkel

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është duke qëndruar për një vizitë në Berlin ku po merr pjesë në një konferencë që i kushtohet luftës kundër antisemitizmit.

Atnisemitizmi është një shprehje që përshkruan paragjykimet, urrejtjen dhe diskriminimin ndaj hebrenjve si grup etnik, fetar ose racor.

Konferenca e organizuar nga Bundestagu gjerman është shfrytëzuar nga Veseli për të takuar përfaqësues politik të grupeve parlamentare të Bundestagut, ndërsa është takuar edhe me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

“Përfitova nga rasti i Konferencës për të takuar edhe Kancelaren Merkel dhe për t’i shprehur në emër të Kosovës mirënjohjen e thellë për ndihmën bujare të popullit gjerman. Admiroj lidershipin dhe kurajon e saj për ta bërë Evropën më humane”, ka thënë Veseli në një deklaratë të postuar në Facebook pas takimit.

Ndërsa më herët, në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i tij thuhet se në konferencën në Berlin, përveç çështjeve të ngritura në konferencë, u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe në  mes Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me legjislativin, roli i të cilit është vendimtar në avancimin e Kosovës në rrugën evropiane.

“Parlamentarët gjermanë shprehën përkushtimin e tyre dhe shtetit gjerman në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe procesit të integrimit euro-atlantik të saj”, thuhet në komunikatë.