Kadri Veseli në foltoren e Kuvendit. Foto: Kallxo.com

Veseli: Drejtësia dhe e Vërteta Nuk Mund të Ndahen

E nisi me një rrëfim nga ditët kur pjesëtarët e UÇK-së po u rezistonin sulmeve të forcave serbe në malet e Drenicës dhe e përfundoi fjalimin me një mesazh drejtuar fëmijëve të pjesëtarëve të UÇK-së.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, iu drejtua deputetëve në debatin e sotëm në Kuvend të thirrur pas vërtetimit të dënimeve të të akuzuarve në rastin Drenica 2.

Ai tha se “në parim” politika nuk duhet të ketë ndikim në proceset gjyqësore dhe se “PDK beson te ky parim dhe kjo është arsyeja pse kemi heshtur”.

Por ai ka kritikuar vendimet e fundit të gjykatës.

“Nuk ka padrejtësi me të madhe se ajo që mund të behet në emër të drejtësisë. Kam qëndruar dhe qëndroj pas asaj që liria e personit është me pak e vlefshme se liria e shtetit tonë”, tha Veseli.

Megjithatë Veseli mohoi ta quajë debatin si ndërhyrje në punë e gjykatës.

“Ne nuk duam të interferojmë në sistemin gjyqësor, por nga ana politike mund të kërkojmë e adresojmë shqetësimet tona mbi këto procese gjyqësore. Drejtësia dhe e vërteta nuk mund të ndahen. Dihet kush ishte viktima e kush agresori. E kurrë nuk mund të barazohen agresori e viktima”, tha ai.

Kur e mori fjalën për herë të dytë, Veseli e bëri këtë për të replikuar ndaj një deklarate të deputetit të NISMA-s, Fatmir Limaj.

“E kam votu Gjykatën Speciale e edhe sot e kisha votu, se e kisha dëmtu shtetin, e u lë sherr fëmijëve të mi. Boll kom hjekë unë. Une e kam provu luftën, e sen ma t’randë s’ka”, tha Veseli.

Ai foli edhe për krimet e pretenduara të pasluftës.

“Deri më 12 qershor e kemi obligim me mbrojte UÇK-në e luftën, mas 12 qershorit secili le ta mbrojë veten. Kush është inkriminu e bajtë me shnet,” tha ai.

http://kallxo.com/kerkon-nga-deputetet-te-mos-kontestojne-vendimet-e-gjykatave/