Agim Veliu - FOTO KALLXO

Veliu- Vetëvendosjes: “S’më shkon mendja me protestu”

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë me nguti thirrjen e Lëvizjes Vetëvendosje për mobilizim opozitar në protesta.

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë ftesë publike Lidhjes Demokratike të Kosovës të organizojnë protesta, për të kundërshtuar pjesëmarrjen e presidentit Hashim Thaçi në dialogun Kosovë-Serbi, për korrigjimin e kufijve si dhe vizitën e paralajmëruar të presidentin të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Kosovë.

Megjithatë në kryesi të LDK-së thonë se ‘nuk po i shkon mendja të protestojnë e t’i përgjigjen thirjes së Vetëvendosjes”.

VV-ja në një komunikatë për media dje ka theksuar se “është e nevojshme që më së largu nesër të përcaktohet data e protestës”.

Por kjo parti politike deri më tash nuk e ka marrë asnjë vendim lidhur më këtë çështje.

Kështu deklaroi për KALLXO.com, nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi. Ai tha se VV-ja ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga LDK-ja së cilës i kanë dërguar ftesën për të protestuar.

“Ende nuk kemi vendim për këtë çështje. Prej LDK-së ende nuk kemi ndonjë lajm, ata ende nuk na janë përgjigjur, kështu që gjatë ditës do të vendosim”, shtoi Bislimi, i cili njëherësh është caktuar në ekip të VV-së për të vendosur kontaktet me LDK-në.

Por në Kryesi të LDK-së nuk ka interesim për të protestuar. Kështu së paku tha për KALLXO.com, nënkryetari i këtij subjekti, Agim Veliu.

“Jo edhe as mendja s’më shkon. Unë kam bo protesta më herët, me njëfarë kohë, më protesta prej se është bërë shteti s’mendoj me dalë. Pse me i dhënë përgjigje na Vetëvendosjes, nuk jemi të obliguar me ju përgjigj na subjekteve politike çka ju teket brenda ditës  e natës e na me u çu me ju dhënë përgjigje, s’është logjike ajo, s’merremi me atë punë ne fare hiç”, shtoi Veliu.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha për KALLXO.com se kryetari Isa Mustafa, ditëve të fundit ka zhvilluar takime me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin.

Selmanaj thotë se LDK dhe VV kanë pikë të përbashkët kundërshtimin e pjesëmarrjes së Thaçit në Bruksel dhe hapjen e temës së kufijve në bisedimet me Serbinë.

“Deri tash ka pasur një koordinim të afërt me takime të realizuara mes zotëri Kurti dhe zotëri Mustafa, ata ka ditë që janë takuar me njëri-tjetrin. Dhe po besoj që tashmë mbetet në nivel të diskutimeve mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dhe më pas vendoset rreth hapave që do të ndërmarrin këto dy parti politike. E mira e kësaj pune është që në substancë LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë një pajtim që kundërshtojnë pjesëmarrjen e Thaçit në Bruksel dhe temën e kufijve”, tha Selmanaj.

Deputeti i kësaj partie, besoj që shumë shpejt LDK-ja dhe Vetëvendosja do të dalin me qëndrime të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje dje ka bërë thirrje për protesta masive për gjendjen aktuale politike.

“Sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Protestat janë të domosdoshme. Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare”, thuhej në komunikatën e VV-së.