Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto: Atdhe Mulla
Vazhdon gjykimi në kontestin për pronën e ‘Infrakos’-it
Në Gjykatën Themelore të Mitrovicë është mbajtur gjykimi në rastin e kontestit mes Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” si paditës dhe Ferid Pecit si i paditur lidhur me lirimin e paluajtshmërisë.
Për këtë kontest Gjykata e Mitrovicës kishte vendosur më 30 prill 2013.
Me këtë vendim ishte aprovuar pjesërisht padia dhe kërkesëpadia e paditësit, në atë mënyrë që kishte obliguar të paditurin që në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi të lirojë pronën e cila evidentohet në emër të paditësit si dhe t’i paguajë paditësit në emër të qirasë shumën prej 1.846.81 euro.
Por rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 28 mars 2018, ku kishte vendosur që të aprovohen si të themelta ankesat e përfaqësuesit të palës paditëse, “Infrakos”, Fushë-Kosovë, si dhe ankesa e palës së paditur Ferid Peci, siç thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Sipas vendimit te Gjykatës së Apelit, kjo Gjykatë nuk mund të pranojë vlerësimin juridik të shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshme, ngase sipas aktvendimit aktgjykimi i atakuar është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 , pika (n), të LPK-së.
Kurse në seancën e mbajtur ne gjykatën e Mitrovicës përfaqësuesja e palës paditëse, Valentina Selimi, tha se mbetet pas parashtresës së 15 majit 2018, përmes së cilës është bërë precizimi i padisë dhe kërkesëpadisë, në të cilën thuhet se pala paditëse kërkon nga i padituri të drejtën në shpërblim të dëmit për uzurpim dhe shfrytëzim të pronës pa bazë ligjore dhe fitimin e humbur për periudhën kohore tetor 2009 e deri në maj 2018.
Sipas saj, i padituri Ferid Peci në pronën e uzurpuar ka ndërtuar shtëpi në sipërfaqe prej 64 m2 dhe shfrytëzim të pronës prej 334 m2, në periudhën kohore të lartcekur dhe tani kërkohet të paguhet shuma e përgjithshme prej 4.801.68 euro, në këstin mujor prej 46.71 euro.
Gjithashtu përveç shpërblimit të dëmit, pala paditëse kërkon edhe lirimin e pronës, vetëm nëse paraprakisht me paditësin nuk arrihet ndonjë marrëveshje.
Selimi gjithashtu propozoi që të caktohet ekspertizë financiare për përcaktimin e lartësisë së dëmit të shkaktuar gjatë periudhës tetor 2009 e deri në maj 2018, ku i padituri Ferid Peci, ka shfrytëzuar për banim pronën e paditësit.
Ky propozim nuk u kundërshtua nga ana e të paditurit Ferid Peci dhe u aprovua nga gjyqtari Faton Ademi, i cili shtoi se mendimi në ekspertizë duhet t’i dorëzohet Gjykatës brenda një afati të arsyeshëm.
Ndryshe, sipas padisë, paditësi “Infrakos” ka kërkuar lirimin e paluajtshmërisë që pretendon se është në emër të paditësit, e të cilin thuhet se e ka shfrytëzuar i padituri Ferid Peci, duke ndërtuar shtëpi për banim në sipërfaqe prej 64 m2 si dhe shfrytëzim të oborrit, pa marrjen e pëlqimit paraprak për shfrytëzim të përkohshëm të pronës së paditësit.
Përmes padisë, nga Gjykata kërkohet që i padituri t’i paguajë paditësit borxhin për muajin tetor 2009 e deri tani, në këstin vijues prej 46.17 euro si dhe të lirojë pronën e cila pretendohet të jetë në emër të paditësit.