Hekurudhat në Kosovë | Foto: Infrakos

Auditori: Infrakos mbajti pa kontratë një punëtor për më shumë se dy vjet

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se ndërmarrja e hekurudhave të Kosovës, Infrakos, ka mbajtur një punëtor pa kontratë nga maji i vitit 2020 deri në dhjetor të vitit 2022, edhe pse i njëjti kishte punuar në këtë ndërmarrje.

Në raportin e auditimit për vitin 2022, ZKA ka identifikuar se në 38 raste, kontratat e punës së personelit të ndërrmarrjes nuk ishin në harmoni me rregulloren mbi pagat dhe kompensimet tjera.

Kontratat e punës ishin të nënshkruara në vitin 2011, ndërsa rregullorja mbi pagat ishte azhurnuar në vitin 2014 dhe pagat janë paguar duke u bazuar në rregulloren e vitit 2014.

“Pra kontratat e punës ndërrmarrja nuk i kishte ndryshuar”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas Auditorit, mospërditësimi i kontratave cënon sigurinë juridike të punëtorëve.

ZKA-ja ka rekomanduar që Bordi i Drejtorëve në Infrakos të sigurojë që është bërë përditësimi i kontratave në harmoni me rregulloren e brendshme për paga.