Lirohen nga akuzat për korrupsion ish-zyrtarët komunal të Prizrenit dhe zyrtarët e Infrakos-it

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka publikuar aktgjykim lirues në rastin e njohur si “Infrakos”.

Prokurori i Shtetit kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë të dyshuarve, zyrtarë komunal në Prizren dhe në Ndërmarrjen Publike “Infrakos” më 31 dhjetor të vitit 2019.

Rasti “Infrakos” ishte njëri nga rastet e shënjëstruara për liberalizim të vizave.

Të akuzuar në këtë rast ishin katër ish-drejtorë komunal të Prizrenit, sa këtë komunë e drejtonte Ramadan Muja, një inspektor dhe dy zyrtarë të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”.

“Lirohen nga akuza, pasi që nuk është provuar veprat penale të të cilat akuzoheshin” – thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit me veprime të ndryshme i kanë shkaktuar dëm në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” në vlerë prej 104,674.61 euro.

Të akuzuarit, që u shpallën të pafajshëm, ishin S. P., ish-drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, N. K. po ashtu, ish-drejtor i Urbanizmit në qeverisjen e Ramadan Mujës së PDK-së, V. I. gjithashtu ish-drejtor i Urbanizimit në Komunën e Prizrenit, B. N., ish-drejtor i Inspektoratit në këtë komunë. Gjithashtu, i akuzuar në rastin “Infrakos” ishte edhe B. K. ish-Inspektor i Ndërtimit në Komunën e Prizrenit. Pjesë e aktakuzës si i akuzuar nga Prokurori i Shtetit ishte edhe A. Th., ish-kryeshef në “Infrakos”. Ndërsa, i akuzuari N. A., në cilësinë ë e bashkëpunëtorit profesional në këtë ndërmarrje.

Emisioni Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin për dëmin milionësh që i është shkaktuar linjës hekurudhore Klinë- Prizren nga ana e bizneseve të shumta të cilët operojnë në atë zonë.

Një skemë e dyshimtë është përdorur për të llogaritur dëmin që uzurpimet e dëmtime nga uzurpatorët i kanë shkaktuar Infrakosit në hekurudhën në hyrje të Prizrenit.

Ndërsa për pronat e ndërmarrjes publike “Infrakos”, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur edhe 46 aktakuza tjera për veprat penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë, ndaj individëve dhe bizneseve që kanë ndërtuar dhe uzurpuar pronën e ndërmarrjes publike “ Infrakos”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, ish-zyrtarët komunalë Sadik Paqarizi, Njazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” me seli në Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, tre drejtorët kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit si dhe kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe Inspektorin Komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit,  duke bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaçi, gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke qenë Kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari i fundit  Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si Menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Për Sadik Paçarizin, Njazi Kryeziun dhe Bujar Nerjovajn nuk është hera e parë që po përballen me akuzat e Prokurorisë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sadik Paçarizi është i bashkëakuzuar me ish kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja në një proces të gjatë gjyqësor që nga viti 2014.

Njazi Kryeziu është shpallur i pafajshëm si një ndër të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”, ndërsa është i akuzuar edhe për lidhjen e kontratave pa tender, e rasti në Gjykatën e Prizrenit është në fazën fillestare.

Bujar Nerjovaj në qershor të vitit 2019 ishte shpuar fajtor nga Gjykata e Prizreni dhe ishte dënuar me burgim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por rastin e tij Gjykata e Apelit e kthyer në rigjykim.