Gjykimi për pronën e “Infrakos”-it, i akuzuari thotë se e ka mbrojtur hekurudhën

Agron Thaçi, ish-shef i ndërmarrjes publike “Infrakos”, ka dalë para Gjykatës së Prizrenit për t’u përgjigjur për akuzat e Prokurorisë.

Pos Thaçit, të akuzuar në këtë rast janë edhe Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqi dhe Naim Avdyli, të cilët ngarkohen se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar dhe degraduar pronën dhe infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit.

Të martën, Agron Thaçi, ka thënë se ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur pronën nga dëmtimet.

Sipas Thaçit, hekurudha e ndërtuar në vitin 1963 në Prizren i ishte lënë harresës së kohës.

“Hekurudhat ishin në gjendje jo të mirë, një pjesë e tyre ishin lënë jashtë përdorimit sepse janë dëmtuar gjatë luftës e më pas janë lënë në harresë të kohës. Kurse, në kohën e UNMIK-ut, hekurudhat ishin pa mirëmbajtje meqenëse atëherë misioni i huaj nuk ka marrë masa për konservimin e linjës hekurudhore Xërxë-Prizren” – tha i akuzuari.

Ai shpjegoi se për dislokimin e hekurudhës ka marrë njohuri vetëm në vitin 2014.

Ndërkaq, për t’i ndaluar dëmtimet dhe veprimet në infrastrukturën hekurudhore, Thaçi tha se ka ushtruar kallëzime, padi dhe veprime të tjera juridike.

“Meqenëse linja hekurudhore në Prizren ka qenë totalisht e uzurpuar dhe e mbyllur, unë bashkë me bashkëpunëtorët e mi u jemi drejtuar organeve kompetente. Kam kontaktuar kryetarin e Komunës, drejtorët dhe i kemi ngritur shqetësimet tona, i jam drejtuar edhe me shkresa” – deklaroi Thaçi.

Agron Thaçi ka argumentuar se kur problemet 10-vjeçare të hekurudhës nuk gjetën zgjidhje, ai iu drejtua Policisë dhe Gjykatës për tri vite radhazi deri sa u ngrit kallëzimi penal kundër drejtorëve të akuzuar tashmë.

“Falë veprimeve ligjore dhe angazhimit tonë, kemi arritur ta mbrojmë pronën e hekurudhës së Prizrenit, pasi që më nuk ka ndodhur asnjë dëmtim nga palët e treta” – sqaroi i akuzuari.

Thaçi ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës së Prishtinës, e cila ka vendosur masën e përkohshme për ndërprerjen e çdo aktiviteti ilegal.

Në vijim të gjykimit, ish-shefi i “Infrakos”-it ka konsideruar se ndërtimet në afërsi të hekurudhës nuk e kanë dëmtuar infrastrukturën.

“Në qoftë se i përmbahemi infrastrukturës ligjore, nëse kemi profil 2 metra nga aksi binar nga njëra anë, dhe në zonat urbane ka qenë 6 metra, nëse këto dyja përmbahen hekurudha është funksionale. Pra rezulton se nuk kemi probleme në zhvillimin e transportit hekurudhor” – tha ai.

I akuzuari ka mohuar se me veprimet e veta ka dëmtuar pronën e “Infrakos”-it, për të cilën edhe po akuzohet.

“Me këmbëngulësinë më të madhe e kam mbrojtur pronën, ku pas më shumë se 5 vitesh degradim dhe uzurpim hekurudhat kanë qenë për t’u dislokuar, por ne fituam rastin dhe arritëm marrëveshje dhe bëmë që hekurudha të mbetet aty ku ishte” – u shpreh Thaçi.

Sipas aktakuzës, tre nga shtatë të akuzuarit e lartcekur Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj, janë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së PDK-së.

Sipas Prokurorisë, Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu, Visar Islamaj në cilësi të personave zyrtarë,  ngarkohen se kanë lëshuar leje për ndërtim në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat.

Të akuzuar tjerë nga Prokuroria janë edhe ish-drejtori për Inspeksion, Bujar Nerjovaj,  ish-inspektori komunal Bashkim Krasniqi, ish-kryeshefi i “Infrakos”-it Agron Thaçi dhe bashkëpunëtori profesional Naim Avdyli.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj ka lejuar ndërtimin e katit të shtatë të një objekti ndonëse ai  kishte qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori e ka bërë mbi pronën e hekurudhave “Infrakos”, por, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim parandalues.

Gjithnjë sipas aktakuzës, edhe i akuzuari Bashkim Krasniqi thuhet se ka lejuar që të bëhet mbindërtimi i një objekti, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, edhe pse ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

I përfshirë në aktakuzë është edhe ish-kryeshefi i “Infrakos”-it, Agron Thaçi, i cili duke qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, nuk kishte vepruar konform Ligjit të Hekurudhave në të cilin janë paraparë punët mbrojtëse, masat e parandalimit për ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore.

Naim Avdyli së bashku me Agron Thaçin përpos që nuk i kanë ndërmarrë veprimet e duhura lidhur me ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, Prokuroria thotë se ata  kanë vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “Infrakos”.

Me këto veprime Prokuroria pretendon se të akuzuarit  e lartcekur kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar Hekurudhave të Kosovës – “Infrakos” dëm në vlerë prej 104,674.61 euro.

Ky rast ishte trajtuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.