Valdete Idrizi (PDK), Mitrovicë e Jugut. Foto: Kallxo.com

Valdete Idrizi Demanton Vjosa Osmanin

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ku ajo tha se Idrizi ishte takuar me Presidentin Hashim Thaçi.

Osmani, në seancën e sotme të Kuvendit, akuzoi Presidentin e Vendit dhe ish-Kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, se po bën fushatë për këtë të fundit.

Ajo këtë e tha duke marrë në referencë takimin që sipas saj ka ndodhur në mes të Idrizit dhe Thaçit.

Idrizi, në anën tjetër, demantoi këtë deklaratë duke treguar se me kë  në të vërtetë është takuar ajo.

“Unë i siguroj qytetarët, se kjo gjë nuk është e vërtetë dhe se sot unë jam takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Z. Kadri Veseli si dhe deputetët Znj. Blerta Deliu dhe Z. Memli Krasniqi”, shkroi ajo në Facebook.

Kandidatja që ka hyrë në balotazh për Mitrovicën po ashtu kërkoi kërkim falje publike nga Osmani për këtë deklaratë.

“Deputetja Osmani do të duhej të kërkoj falje publikisht për shpërndarje të informacioneve të pavërteta sepse ajo e di mirë që çdo lëvizje mund te incizohet nga kamerat ne Kuvend”, thuhet tutje në reagim.