Foto: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, X
Presidentja Osmani flet me homologun gjerman për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Osmani ka njoftuar se gjatë bisedës me homologun e saj ka theksuar rëndësinë kritike që ky proces të përfundojë me sukses, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e KiE-së.
“Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm” – ka shkruar Osmani.
Yesterday, I spoke with German President Frank-Walter Steinmeier to discuss Kosovo’s membership in the @CoE.
I emphasized the critical importance for the successful conclusion of this process, to ensure that all our citizens benefit from the Council’s instruments as soon as… pic.twitter.com/XB82jnDx9b
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) May 15, 2024
Gjermania dhe Franca janë dy shtetet që kanë kërkuar që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ta dërgojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të arrijë të sigurojë shumicën e votave për anëtarësim në KiE.
Në anën tjetër, Kurti ka bërë të ditur se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për anëtarësim pasi që sipas tij, kjo kërkesë nuk është parimore e as vlerore, por është absurde. Ai po ashtu tha se nuk e ka pritur një qëndrim të tillë pikërisht nga këto dy shtete mike.
“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por asesi nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim”- tha Kurti, më 08.05.2024.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshill ka “ngecur” në hapin e fundit, i cili është votimi në Komitetin e Ministrave të KiE-së. Kjo çështje nuk është vendosur në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit që do të mbahet më 17.05.2024. Që rreth një muaj që përfolet se ky takim do të ishte takimi kur do të bëhej votimi përfundimtar për Kosovën.
Kjo u bë e ditur më 14.05.2024 nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se ka gjasë që ky votim të shtyhet, sipas tij si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, anëtarësimit në KiE dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.
Pas kësaj, hapi i fundit për këtë proces është votimi nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.