Kthimi i patentë shoferëve ilegalë në RKS, deri tash 128 kërkesa
Vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili mundëson zëvendësimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare – të lëshuara nga institucionet e Kosovës, deri më tani pozitivisht i janë përgjigjur 128 qytetarë.
Interesimi më i madh, sipas udhëheqësit të Divizionit për patentë shoferë në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Rifat Limani, është në komunat veriore.
Limani në një intervistë për KALLXO.com shpjegoi se çfarë u duhet dhe sa duhet të presin qytetarët për të përfunduar procedurën e kthimit të patentë shoferëve në RKS.
Ai tregoi se qytetarët duhet të aplikojnë në qendrat për pajisje me dokumente në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
“Dokumentacioni i cili është i nevojshëm duhet certifikata e mjekut për të vërtetuar aftësitë shëndetësore të shoferit, pastaj letërnjoftimi i Republikës së Kosovës, të dorëzohet origjinali i patentë shoferit, të bëhet pagesa në shumën prej 15 eurove dhe pastaj kryhet aplikimi” – tha ai.
Udhëheqësi i Divizionit për patentë shoferë tha se brenda 15 ditëve qytetarët pajisen me patentë-shoferë të Republikës së Kosovës.
Limani shpjegoi se të gjithë patentë shoferët të lëshuar nga strukturat jolegale serbe pas datës 10.06.1999 kanë të drejtë ta konvertojnë atë patentë shofer në patentë shofer të Republikës së Kosovës.
“Patentë shoferi i konvertuar vlen për të gjitha kategoritë pa përjashtim” – shtoi ai.
Tutje Limani tha se në Leposaviq deri më 14.05.2024 janë 31 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 28, në Zubin Potok 8 dhe në Zveçan 13.
“Interesimi i qytetarëve është mjaft i madh, deri më tani kemi statistika të cilat tregojnë që 128 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës kanë aplikuar për të bërë ndërrimin e këtyre patentë shoferëve, kryesisht numri më i madh i kërkesave vjen nga pjesa veriore” – theksoi zyrtari i ARC-së.
Sipas Limanit në vendim të MPB-së specifikohet se pas përfundimit të këtij procesi, i cili vlen deri më datë 09.08.2024, patentë shoferi i strukturave jolegale serbe nuk mund të përdoret në komunikacion, në trafikun rrugor të territorin e Republikës së Kosovës.
“Me vetë pikën e tetë nënkupton që këta qytetarë do t’i nënshtrohen procedurave të kundërvajtjes në trafik, për arsye se nuk do të lejohet përdorimi i këtyre patentë shoferëve pas kësaj date” – tha ai.
MPB më 07.05.2024 ka sqaruar se kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për pajisje me dokumente.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-adresimi në gjuhën serbe, ka deklaruar se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.
“Kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”- është shprehur Kurti.
Sipas MPB-së, për të aplikuar qytetarëve u duhet të dorëzojnë në Qendrën për pajisje me dokumente: letërnjoftimin, origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky vendim hyn në fuqi më 09.05.2024 dhe është valid deri më 09.08.2024.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill.
Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte thënë se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe)”.
Sipas Bislimit, pala serbe nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.