Zahir Tanin, shef i UNMIK-ut - Foto: REL/AFP

UNMIK kërkon lirimin e dy anëtarëve të stafit të arrestuar në veri

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin ka publikuar një deklaratë në lidhje me zhvillimet e sotme në Veri të Kosovës, përmes të cilës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të stafit të OKB-së.

Ai ka deklaruar se UNMIK-u është duke ndjekur me shqetësim të madh këto zhvillime, duke përfshirë edhe ndalimin e dy anëtarëve të stafit të OKB-së nga Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

“Që të dy punonjësit janë transferuar më pas në spital, për trajtimin e lëndimeve Jemi në përcaktim të rrethanave të sakta, në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Zahir Tanin gjithashtu ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të punonjësve të OKB-së.

Ai ka theksuar se “çfarëdo dëmi shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara, do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit për jetën dhe lirinë e të gjithëve. Dhe për të ndihmuar në rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë në këtë zonë”, është thënë më tej në këtë deklaratë.