Shefja e UNMIK-ut në KS të OKB-së: Ngjarjet e 24 shtatorit e përkeqësuan mjedisin e sigurisë në Kosovë

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar situatës në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, është përqendruar në ngjarjen e 24 shtatorit, kur ishte kryer një sulm terrorist, në të cilin ishte vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte plagosur një dhe ishte lënduar një tjetër.

“Herët në mëngjes të asaj dite një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën në hyrje të fshatit Banjskë, i cili ishte bllokuar nga dy automjete. Gjatë ditës dhe deri në mbrëmje, ndërmjet Policisë së Kosovës dhe personave të armatosur rëndë pati shkëmbim zjarri, duke rezultuar në katër të vdekur dhe një numër arrestimesh. Policia e Kosovës ka konfiskuar një numër të konsiderueshëm automjetesh, pajisje ushtarake dhe armë” – tha Ziadeh.

Ajo theksoi se në lidhje me këtë çështje UNMIK-u iu bashkua bashkësisë ndërkombëtare duke dënuar në mënyrë të ashpër incidentin, humbjen tragjike të jetëve, duke bërë thirrje për përmbajtje.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht, të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar këtë ngjarje dhe për të kërkuar përgjegjësi nga autorët” – tha shefja e UNMIK-ut.

“Ngjarjet e rënda të 24 shtatorit e përkeqësuan mjedisin e sigurisë, i cili është karakterizuar nga një atmosferë dyshimi reciprok dhe me perceptime kontradiktore që prekin pjesën më të madhe të popullsisë dhe veçanërisht atë në veri të Kosovës dhe në mesin e komunitetit serb të Kosovës kudo në Kosovë”-shtoi Ziadeh.

Një tjetër temë që u përmend nga shefja e UNMIK-ut ishte edhe takimi i 14 shtatorit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Mirëpo, më pas Borrell njoftoi se takimi që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat.

“Kjo ishte sërish një mundësi e humbur për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive drejt një programi për zbatim sipas marrëveshjes së bërë në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti” – tha Ziadeh për këtë çështje.

Pas këtij takimi Borrell kishte thënë se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit” – kishte thënë Borrell.