Foto: Facebook, UNMIK

Shefja e UNMIK-ut bën thirrje që autoritetet ta trajtojnë me prioritet çështjen e personave të zhdukur

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

Ajo u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.

“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja” – tha ajo në një deklaratë për të përkujtuar Ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë.

“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.” – ka thënë tutje Ziadeh.

Sipas komunikatës për media, Ziadeh kujtoi gjithashtu vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, Fabián Salvioli, i cili në atë kohë konstatoi se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

Në komunikatë u theksua se UNMIK-u do të vazhdojë të avokojë për rifillimin e bashkëpunimit për këtë çështje me një qasje të të drejtave të njeriut ku në qendër ka viktimat, në bashkëpunim të ngushtë me familjet dhe të gjithë aktorët përkatës.

Tutje u tha se sipas KNKK-së, 6,065 persona janë zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1,617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.

Personat e  zhdukur me dhunë janë përkujtuar edhe sot nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në një konferencë për media ata u bënë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni më të madhe ndaj Serbisë në lidhje me personat që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.